Pak ditë më parë ndodhi një ngjarje tragjike në Shënvlash të Durrësit, ku fëmijët vranë babain e tyre, 50-vjeçarin Pëllumb Meta.
Për të shpjeguar këtë ngjarje psikologia Delina Malaj e konsideron një çështje shumë delikate dhe për të dhënë një analizë do të ishte shumë e nevojshme një vlerësim psikologjik i detajuar i anëtarëve të familjes dhe depërtuar më thellë në funksionimin individual dhe familjare të tyre. Ajo që mund të evidentohet është që kemi të bëjmë me gjendje të pashëndetshme psikologjike (mbingarkesë, tension, akumulimi, deri ndoshta në patologji) por ngelen në kuadër aludimi pasi nga afër nuk dimë asgjë.
Në një intervistë për Bebja.com Delina Malaj thotë se personat që kryejnë akte të tilla mbartin problematika të shumta dhe çështje psiko-emocionale të pazgjidhura.
Konsulta dhe ndjekja me profesionist është domosdoshmëri për këdo që shfaq disfunksion si mundësi parandalimi fillimisht, pastaj për trajtim.
Intervista e plotë:
1. Kohët e fundit është shtuar rasti I vrasjeve në familje? Pse ndodh?
Dhuna në familje dhe tejkalimi i saj në akte të rënda është një çështje që kërkon hulumtime të shumta dhe të detajuara nga organet kompetente.
Kohët e fundit janë shtuar rastet ose janë evidentuar dhe bërë publike, nuk kemi një statistikë.
Normalisht kemi të bëjmë me kushte psikologjike jo të shëndetshme, ku në rastin konkret kemi një sistem të gjithë të pashëndetshëm siç është familja. Në të tilla kushte kemi të bëjmë me familjen si njësi dhe jo vetëm me një anëtarë.
2. Mungesa e komunikimin, dhuna psikologjike dhe fizike a çojnë në vrasje brenda familjes?
Familja si sistem funksionon në parim nga të gjithë anëtarët dhe dinamikat mes tyre. Që nga shëndeti mendor fillestar i të dy prindërve dhe historiku i tyre, stili prindërimit, kushtet socio-ekonomike gjatë rritjes të cilat ndikojnë në këto sisteme dhe subsisteme brenda familjes ( mungesa e komunikimit të nevojave emocionale, nevoja të pakanalizuara në mënyrë të shëndetshme të cilat derivojnë në akte dhune, mungesa e informimit për delegim të nevojave në organet kompetente në raste dhune).
3. Pak ditë më parë një ngjarje e rëndë ndodhi në Durrës ku fëmijët dyshohet se vranë dhe varrosën babain e tyre, 50-vjeçarin Pëllumb Meta. Vajza pretendon se do ta fejonte me detyrim, dhe mori përsipër vrasjen, por pak ditë më pas djali i të ndierit mori përsipër krimin. Rast I vështirë por ne dëshironim analizën tënde si psikologe?
Përsa i përket rastit në Durrës është një çështje shumë delikate dhe për të dhënë një analizë do të ishte shumë e nevojshme një vlerësim psikologjik i detajuar i anëtarëve të familjes dhe depërtuar më thellë në funksionimin individual dhe familjare të tyre. Ajo që mund të evidentohet është që kemi të bëjmë me gjendje të pashëndetshme psikologjike (mbingarkesë, tension, akumulimi, deri ndoshta në patologji) por ngelen në kuadër aludimi pasi nga afër nuk dimë asgjë.
4. Pse fëmijët arrijnë deri në aktin ekstrem, vrasjen e prindërve?
Vazhdoj të mendoj që nevojitet një analizë nga afër e rastit. Do ta quaja një rast të veçantë pa dashur të përgjithësojmë “fëmijët vrasin prindërit”.
5. Personat që kryejnë vrasje në familjen, mos ndoshta janë në faza të rënda depresioni, persona që nuk konsultohen me psikologun dhe as mjekohen për ta zgjidhur këtë problem pa arritur në akte ekstreme, vrasje?
Patjetër që personat që kryejnë akte të tilla mbartin problematika të shumta dhe çështje psiko-emocionale të pazgjidhura.
Konsulta dhe ndjekja me profesionist është domosdoshmëri për këdo që shfaq që disfunksion si mundësi parandalimi fillimisht, pastaj për trajtim.
6. Si mund të shmanget ngjarje të tilla në familjen? Cili është mesazhi juaj Si psikologe?
Sensibilizimi në shkolla mbi familjen e shëndetshme, mbi të drejtat e individit, informimi mbi organet kompetente te të cilat mund të orientohesh në raste të tilla, është hapi i parë i parandalimit. Sensibilizimi mbi rendësin mirëqenies psikologjike dhe shëndetit mendor, është element kyç në trajtim të problematikave individuale dhe familjare.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.