“Si çdo sëmundje e rëndë, nuk këshillohet shtatzënia në fazën e Depresionit të rëndë, për arsye të mjekimeve të ndryshme që mund të merrni dhe efektet që mund të shkaktojnë te fëmija.” Kështu thotë mjekia psikiatre Emiola Hyka.
Psikiatria sugjeron se mund të nisni një shtatzëni kur jeni në një fazë stabilizuese të Depresionit dhe nëse merrni vetëm pak mjekime, të cilat lejohen të përdoren gjatë shtatzënisë. Nuk është e thënë që të prisni disa vite deri sa të shëroheni plotësisht.
Duhet të keni parasysh që duhet një ndjekje e rregullt me Psikiatrin dhe Gjinekologun gjatë dhe mbas shtatzënisë.
“Depresioni i nënës gjatë shtatzënisë duket se ka një ndikim në proceset fiziologjike tek fetusi dhe tek i porsalinduri dhe, në rrethana të caktuara, në zhvillimin e mëtejshëm të fëmijës, siç janë lindje e parakohshme, vonesa në rritje”, shpjegon Emiola Hyka.
Intervista e plotë me psikiatren Emiola Hyka:
1.Një nga pyetjet më të shpeshta që bëjnë vajzat në portalin tonë: ” Vuaj nga depresioni, a duhet të ngelem shtatzënë gjatë kësaj periudhe apo duhet të pres deri sa të shërohem plotësisht pas disa vitesh?”
Depresioni është një sëmundje psikike, që shfaqet kryesisht me humor të mërzitur, lodhje e tepërt dhe humbje e interesit dhe gëzimit për gjërat e përditshme dhe me shumë shqetësime të tjera shoqëruese.
Për ato vajza, nëna, që duan të ngelen shtatzënë dhe vuajnë nga Depresioni, fillimisht duhet të dinë se nga çfarë lloj depresioni vuajnë (pasi ka disa lloje) dhe nëse është si sëmundje e parë apo nëse është sëmundje shoqëruese e të tjera çrregullimeve (çrregullimeve ankthit, obsesive-kompulsive, të stresit post-traumatik, çrregullimeve të të ngrënit, varësisë dhe personalitetit emocionalisht të paqëndrueshëm, si simptoma shoqëruese të psikozave, si simptoma shoqëruese të sëmundjeve fizike dhe truro-organike) dhe a duhet të trajtohen me mjekim? Duhet parë nëse keni nevoje vetëm për Psikoterapi apo ju duhet të përdorni gjithashtu dhe mjekime.
Si çdo sëmundje e rëndë, nuk këshillohet shtatzënia në fazën e Depresionit të rëndë, për arsye të mjekimeve të ndryshme që mund të merrni dhe efektet që mund të shkaktojnë te fëmija.
Mund të nisni një shtatzëni kur jeni në një fazë stabilizuese të Depresionit dhe nëse merrni vetëm pak mjekime, të cilat lejohen të përdoren gjatë shtatzënisë. Nuk është e thënë që të prisni disa vite deri sa të shëroheni plotësisht.
Duhet të keni parasysh që duhet një ndjekje e rregullt me Psikiatrin dhe Gjinekologun gjatë dhe mbas shtatzënisë.
2. Sipas një studimi rreth 10 % e nënave shtatzënë vuajnë nga depresioni. Çfarë e shkakton këtë problem? A shmanget?
Depresioni është gjithashtu një nga sëmundjet mendore më të zakonshme që mund të shfaqet edhe gjatë shtatzënisë, që njihet ndryshe si Depresioni prenatal.
Shkak i kësaj janë multifaktoriale. Me të predispozuar janë ato gra që kane vuajtur para shtatzënisë me Depresion, ndryshimet hormonale bëjnë gjithashtu që ndryshimi i shpeshtë i humorit të sjellë një depresion prenatal. Gjithashtu një faktor janë dhe ndryshimet e jetës dhe stilit të jetës që sjell ardhja e një fëmije. Nuk duhet harruar që dhe partneri ka një rol të rëndësishëm në gruan shtatzënë që me ndryshimin e sjelljes dhe humorit (që edhe ai mund të ketë Ankth nga gjithë ky ndryshim) mund t’i krijojë Ankth nënës dhe të çojë në Depresion prenatal.
Shkak tjetër janë dhe ndryshimet fizike që sjell shtatzënia si dhe një sëmundje tjetër shtesë që e ka pasur ose është shtuar gjatë shtatzënisë dhe mund ta përkeqësojë gjendjen shëndetësore. Një tjetër shkak janë dhe historia familjare dhe Traumat që mund të ketë përjetuar.
Një ndihmë e mirë për të mos u prekur janë mbështetja emocionale familjare, ndihma profesionale, të flasësh dhe të dëgjohesh se si ju ndiheni. Shpesh ndihmon që të shmangni fazën depresive, të keni besim dhe vetëvlerësim që të arrini të kapërceni sfidat në mënyrë pozitive që të sjell shtatzënia.
3. Si ndikon ankthi dhe depresioni tek nëna shtatzënë? Po tek fëmija që do të lindë?
Shumë gra janë shumë të shqetësuara gjatë shtatzënisë si dhe janë shumë të shqetësuara për zhvillimin e fëmijës në mitër. Ata dëshpërohen nëse nuk mund të përmbushin pritshmëritë dhe kërkesat që lidhen me amësinë.
Në një meta-analizë vërehet një rrezik pak të rritur të lindjes së parakohshme dhe peshës së ulët tek fëmijët, me nënat e të cilëve kishin depresion të patrajtuar gjatë shtatzënisë. Për më tepër, depresioni i nënës gjatë shtatzënisë duket se ka një ndikim në proceset fiziologjike tek fetusi dhe tek i porsalinduri dhe, në rrethana të caktuara, në zhvillimin e mëtejshëm të fëmijës, siç janë lindje e parakohshme, vonesa në rritje.
4. A ka gjasa që nënë që vuan nga depresioni të lindë një fëmijë që të ketë vështirësi me depresioni?
Simptomat e depresionit mund të vazhdojnë edhe pas lindjes ose mund të shfaqen edhe si depresion i rëndë pas lindjes ose i thënë ndryshe Depresion post-partum, kjo gjë ndikon në ndërveprimin nënë-fëmijë, në mënyrë të tille që të krijohet lidhja nënë-fëmijë. Por me kalimin e kohës kur nëna edhe pse nuk e ndien në fillim këtë afrimitet, përkujdesja dhe mbështetje profesionale, familjare, arrihet të krijohet përsëri kjo lidhje nënë-fëmijë.
Përveç vuajtjeve dhe pasojave të sëmundjes për nënën, depresioni para dhe pas lindjes mund të ketë një ndikim afatgjatë edhe në zhvillimin e aftësive njohëse ose emocionale të fëmijës. Kjo është arsyeja pse depresioni rreth lindjes së një fëmije kërkon trajtim profesional.
Depresioni gjithashtu mund të trajtohet lehtësisht në këtë fazë të jetës.
5. A duhet të përdorë anti-depresant nëna gjatë shtatzënisë? A ka rrezik të abortojë?
Trajtimi I Depresionit varet nga lloji I Depresionit dhe gradës së rëndesës dhe gjithashtu nëse shoqërohet me sëmundje të tjera psikike, gjë që ndikon terapinë, të cilët përveç antidepresiva mund të shoqërohen dhe me antipsikotik ose qetësues. Duhet patur parasysh që jo të gjitha mjekimet janë të besueshme dhe të provuara për ti përdorur në Shtatzëni.
Nëse depresioni shfaqet gjatë shtatzënisë, fillimisht duhet të sqarohet nëse trajtimi psikoterapeutik është i mundshëm dhe i mjaftueshëm ose nëse duhet të përdoren ilaçe antidepresive (ndoshta shtesë), të cilët janë të nevojshme dhe të domosdoshme për tu marrë.
Disa mjekime antidepresiv që mund të lejohen të merren gjatë shtatzënisë, janë Frenuesit selektivë të rimarrjes së serotoninës (SSRIs), Sertraline dhe Citalopram/Escitalopram. Gjithashtu Amitriptilina dhe Mirtazapina janë antidepresantë qetësues që mund të përdoren.
Nëse vërehet që gjatë shtatzënisë pacientja ka qenë stabil, nuk vuan nga çrregullimi Bipolar dhe nuk ka pasur në të shkuarën Histori të Depresionit post-partum, atëherë mbas Lindjes, gjatë gjidhënies, mund të konsiderohet ulje e dozës së mjekimit.
6. Të lutem na tregoni një përvojë lidhur me trajtimin e grave shtatzënë që ju keni bërë në spitalin ku punoni?
Gjatë shtatzënisë është e këshillueshme që të ndiqet nga Psikiatri dhe psikologu, por duke u munduar qëndrimi në shtëpi, kjo pasi shtrimi në Spital është një faktor stresues për nënën shtatzënë dhe mund të ndikojë negativisht në sëmundjen.
Kemi pasur raste të nënave që kanë ardhur në Spital direkt në ditët e para pas lindjes të cilat kishin Depresion dhe Psikozë, gjë që e bën akoma më të vështirë trajtimin. Fëmija i saj i dukej i huaj, dhe nuk krijonte dot afrimtetin nënë-fëmijë. Në dy javët e para është shtruar bashkë me fëmijën në Spital dhe trajtuar me antidepresiv dhe antipsikotike në fazën akute. Më pas është ndjekur Intensiv me mua dhe infermierët duke bërë vizita në shtëpi, kjo pasi ambienti familjar në shtëpi ndihmon më shumë në përmirësimin e sëmundjes. Dhe mund të them që ka pasur sukses.
7.Disa këshilla për gratë shtatzënë, SI ti kontrollojnë emocionet?
E rëndësishme për një nënë shtatzënë duhet të jetë e qetë dhe të mos përjetojë emocione të forta. Një nënë e qete, është dhe një bebe e qetë, pasi fetusi i ndjen të gjitha emocionet që përjeton nëna. Gjatë shtatzënisë kemi ndryshime hormonale që të bëjnë më të predispozuar dhe më të ndejshëm ndaj luhatjes së emocioneve dhe e bën akoma më të vështirë për t’i kontrolluar ato. Por nuk duhet të merakoseni, janë normale që ju të ndiheni kështu.
Për të eliminuar që të keni sa më pak Stres, emocione të forta negative, bëni diçka të mirë vetes tuaj, çfarë ju bën juve të ndjeheni më mirë. Kjo fillohet me gjërat e vogla të përditshme, me një aktivitet të lehtë fizik, një ecje në natyrë, të gatuash diçka të shijshme për veten, ose të kaloni një pasdite ose mbrëmje me njerëzit e tuaj të dashur, të lexosh një libër, të dëgjosh muzikë, kërko të bisedosh me një person qe te kupton dhe ti tregosh hapur si ndihesh, te mënjanosh gjërat dhe personat që ju bëjnë të ndiheni keq, dhe mos u ndjeni fajtor kur kërkoni diçka të mirë për veten tuaj. Tjetër e rëndësishme, lëreni veten të lirë dhe shijoni momentin, çdo gjë ka kohën e vet.
Gjithashtu të keni mbështetje, mirëkuptim dhe qetësi nga njerëzit e afërt që ju rrethojnë ju ndihmon gjatë shtatzënisë.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.