“Skolioza pediatrike është një deformim tre dimensional, (në planin frontal, sagittal dhe horizontal ) I shtyllës kurrizore prezent në moshat pediatrike. Jemi mësuar ta dëgjojmë përkufizimin e skoliozës si deformim anësor i shtyllës kurrizore, por në fakt ai është vetëm një nga dimensionet e deformimit”, shpjegon Fizioterapistja Majlinda Marku.
Në një intervistë për Bebja.com, Majlinda Marku tregon se shenjat dhe simptomat e skoliozës tek fëmijët janë:
1. Disnivel I shpatullave
2. Trupi anon në një anë
3. Disnivel I legenit
4. Shpatullat prominente (të dala nga mbrapa) ose njëra shpatull më e dalë se tjetra.
5. Hapësira që krijon krahu me trupin është asimetrike (në njërën anë mund të jetë më e ngushtë dhe në anën tjetër më e gjerë).
Intervista e plotë:
1.Cfarë është skolioza pediatrike?
Skolioza pediatrike është një deformim tre dimensional (në planin frontal, sagittal dhe horizontal ) I shtyllës kurrizore prezent në moshat pediatrike. Jemi mësuar ta dëgjojmë përkufizimin e skoliozës si deformim anësor i shtyllës kurrizore por në fakt ai është vetëm një nga dimensionet e deformimit.
Skoliozat në moshat pediatrike i klasifikojmë:
1. Idiopatike (që nuk ju dihet shkaku dhe kryesisht dallohen rreth moshës 10 deri 12 vjeç, është forma më e shpeshtë)
2. Congenitale (që janë skoliozat prezentë që në lindje si rrjedhoje e një zhvillimi jo normal të vertebrave që në barkun e nënës).
3. Neuromuskulare (janë skoliozat që shfaqen si rezultat I abnormaiteteve në muskujt dhe nervat që suportojne shtyllën kurrizore, këtu futen paralizat cerebrale, spina bifida, distrofia muskulore, atrofia e muskujve spinal etj,).
2.Cilat janë shenjat dhe simptomat e skoliozës tek fëmijët?
Simptomat që mund të na bëjnë të dyshojmë që një fëmijë mund të këtë skoliozë janë:
1. Disnivel i shpatullave
2. Trupi anon në një anë
3. Disnivel i legenit
4. Shpatullat prominente (të dala nga mbrapa) ose njëra shpatull më e dalë se tjetra.
5. Hapësira që krijon krahu me trupin është asimetrike (në njërën anë mund të jetë më e ngushtë dhe në anën tjetër më e gjerë).
3. Mosha më e prekur nga skolioza pediatrike?
Kryesisht mosha kur skolioza bëhet evidente është mosha 10 deri 12 vjeç por në disa raste mund të fillojë që në moshën 7 ose 8 vjeç. Fillimi i pubertetit apo faza e zhvillimit të shpejtë fizik është mosha më delikatë dhe më e predispozuar për të pasur një agravim të deformimit të shtyllës kurrizore.
4. Si diagnostikohet skolioza tek fëmijët?
Mjeku specialist si fillim bën ekzaminimin klinik përmes testeve specifike dhe nëse në bazë të këtyre testeve evidenton ose dyshon për një deformim atëherë ai rekomandon kryerjen e një radiografie të shtyllës kurrizore. Radiografia na ndihmon në klasifikimin e kurbatures si dhe matjen e gradëve të deformimit.
5. Roli që ka terapia me fizioterapisten?
Fizioterapia ka një rol kyç në trajtimin e skoliozave. Në varësi të gradës së deformimit dhe moshës së fëmijës vendoset edhe plani I trajtimit. Nëse fëmija nuk është në stadin e zhvillimit që ka predispozitë për progresion te shpejte rekomandohet observim I fëmijës një herë në një ose dy muaj për të mbajtur nën vëzhgim për ndonjë progression të mundshëm dhe nëse kemi progression fillojmë me ushtrimet specifike për skoliozën.
Sipas gradeve (cobb angle) skolioza klasifikohet në:
1. Skoliozë e lehtë 10 deri 24 gradë
2. Skoliozë e moderuar 25 deri 40 gradë
3. Skoliozë e rëndë mbi 40 gradë
Gjithmonë në varësi të moshës dhe llojit të skoliozës tek fëmija vendoset nëse terapia do të jetë me anë të:
1. Ushtrimeve specifike fizioterapeutike për skoliozen
2. Korses + ushtrime specifike
3. Ndërhyrjes kirurgjikale.
Fizioterapia mund të ndihmojë në:
• parandalimin e agravimit të gradëve të skoliozës,
• përmirësimin e gradëve
• në përmirësimin në aspektin klinik pra të asimetrive që duken në posture.
• trajnimin për aktivitetet e jetës së përditshme
• uljen e dhimbjes (në rastet kur skolioza shoqërohet me dhimbje)
• përmirësimin e funksionit të frymëmarrjes
• përmirësimin e cilësisë së jetës.
6. Të lutem na tregoni një përvoje lidhur me fëmijët që kanë patur problem me skoliozën? Cili është mesazhi juaj për prindërit që kanë fëmijë me skoliozë?
Në përvojën time klinike kam trajtuar lloje të ndryshme të skoliozave pediatrike. Nëse flasim për skoliozat neuromuskulare do i cilësoja si me komplekset pasi janë të shoqëruara me një sërë problematikash të tjera dhe skolioza trajtohet në kombinim me objektiva të tjera të motorikës globale. Për sa i përket skoliozave idiopatike të evidentuara herët mund të them që fizioterapia ka patur efekt shumë të mirë jo vetëm në parandalimin e agravimit por dhe në zvogëlimin e gradës së deformimit duke përdorur teknika specifike për trajtimin e skoliozave siç janë PSSE Schroth, SEAS, DNS (Dynamic Neuromuscular Stabilization).
Këshilla ime për prindërit është të jenë të vëmendshëm për të evidentuar asimetri të ndryshme në trupin e fëmijës dhe ti drejtohen specialistit sa më shpejt të jetë e mundur dhe në këtë mënyrë do të mund të parandalojnë në kohë përkeqësimin e deformimit. Do të theksoja dhe njëherë që mosha 10 deri 12 vjeç (tek djemtë) dhe mosha që përkon me fillimin e menstruacioneve te vajzat është një moshë delikate ku duhet të jeni vigjilente dhe të kujdesshëm për të vëzhguar trupin e fëmijës tuaj.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.