“Loja ndihmon në zhvillimin e bazave të gjuhës, pasi nivelet e mëvonshme të të nxënit ndërtohen mbi ato fillestare. Elementë të tillë si spontaniteti, të menduarit, kreativiteti, imagjinata dhe besimi zhvillohen më së miri përmes lojës gjatë fëmijërisë së hershme. Fuqia e lojës është pikërisht të sigurojë vetë-vlerësim dhe marrëdhënie ndërpersonale,”– thotë logopedia Migena Peça.

Në një intervistë për Bebja.com Migena shpjegon se loja është e rëndësishme në zhvillimin e fëmijëve, ndikon në mirëqenien fizike, konjitive, emocionale dhe sociale.

Sipas logopedes në moshën 0-1 vjeç është e rëndësishme loja në tapet fëmija rri me bark apo ulur me mbështetje me jastëkë dhe prindi i tregon dhe emërton figura dhe objekte të ndryshme, gjithashtu do sugjeroja lojën e pasqyrës si edhe të imitimeve të tingujve (kafshë apo objekte si makina etj).

Intervista e plotë:

1.Çfarë ndikimi kanë lojërat tek fëmijët, si i ndihmojnë?

Loja është shumë e rëndësishme në stimulimin e zhvillimit të fëmijëve, pasi ajo ndikon në mirëqenien fizike, konjitive, emocionale dhe sociale të fëmijëve, dhe të të rinjve. Gjithashtu, loja u jep mundësi prindërve tu kushtojnë kohë cilësore, dhe të angazhohen plotësisht me fëmijët e tyre. Pavarësisht të mirave që ka loja, si për prindërit dhe fëmijët, në ditët e sotme koha që kalojnë fëmijët në lojën e lirë është e reduktuar.

Fëmijët sot, marrin më pak mbështetje për të luajtur në mjedise të hapura krahasuar me gjeneratat e kaluara, kjo pjesërisht, për shkak të një stili jetese më të shpejtë, ndryshimeve në strukturën e familjes, i kushtohet më shumë vëmendje arritjeve akademike dhe zhvillimit të aftësive edukative të fëmijës duke reduktuar angazhimin në lojën e lirë.

2. Si e ndihmojnë për komunikimin, përqendrimin, fjalorin, motorikën fine?

Loja ndihmon në zhvillimin e bazave të gjuhës, pasi nivelet e mëvonshme të të nxënit ndërtohen mbi ato fillestare. Elementë të tillë si spontaniteti, të menduarit, kreativiteti, imagjinata dhe besimi zhvillohen më së miri përmes lojës gjatë fëmijërisë së hershme. Fuqia e lojës është pikërisht të sigurojë vetë-vlerësim dhe marrëdhënie ndërpersonale.

Gjithashtu, reagim i parë i prindit dhe mënyra se si manipulon lojën fillestare të fëmijës do të ndikojë në zhvillimin e gjuhës te fëmija në moshën 14 muajshe.

Këtu dua të theksoj që loja e parë është loja ta-ta, por që iniciohet nga prindi, dhe fëmija i përgjigjet pas disa tentativa, dhe fillon e kërkon të luajë më shpesh.

Loja e parë e vërtetë që bën fëmija, është hedhja e objekteve, këtu prindi duhet të ketë kujdes me mënyrën e reagimit. Në mënyrë absolute nuk duhet të ketë një reagim “agresiv” por duhet ta mbështesë fëmijën, dhe të vazhdojë lojën të emërtojë objektet dhe veprimin psh “oo ra topi, bummm, Luga aaamm ” etj.

Proceset kognitive që përfshihen gjatë lojës, janë të ngjashme me ato që aktivizohen gjatë të nxënit, si: motivimi, të kuptuarit, përsëritja, vetë-rregullimi dhe të menduarit abstrakt. Vëmendja gjatë lojës lidhet ngushtë me llojin dhe numrin e lodrave te pranishme. Më pak lodra më shumë vëmendje. Aftësitë për të lexuar, folur dhe ato matematikore formohen në bazë të aftësive të fëmijës per të
përdorur objektet në mënyrë simbolike (psh: fëmijët përdorin legot për të përfaqësuar një shtëpi).

Gjithashtu loja ka benefite fizike.

Ndikon në rritjen e koordinimit, ekuilibrit, fleksibilitetin dhe në motorikën fine dhe globale.

Motorika fine fillon të përmirësohet që në manipulimet e para me objektet që bën fëmija, pastaj me kuba, forma, pazlla, lojëra me plastelinë etj

3. Sa shumë mësojnë fëmijët përmes lojës?

Loja mundëson që fëmija:

• Te kuptojë botën që e rrethon.
• Te zgjerojë të kuptuarin social dhe kulturor.
• Te shprehë mendimet dhe ndjenjat e tij.
• Të praktikojë të menduarin fleksibël dhe divergjent
• Te ballafaqohet dhe zgjidhë problemet reale.
• Të mësojë të marrë në konsideratë perspektivën e te tjerëve
•Të zhvillojë vetë-kontrollin
• Të rritë aftësitë dhe shkathtësitë gjuhësore
• Ndihmon në zhvillimin e trurit dhe zhvillimin motorik.

4. Çfarë lloji lojërash përdorni gjatë terapive me fëmijët?

Lojërat që përdorim gjatë terapisë, janë të shumëllojshme, dhe ndryshojnë për çdo fëmijë pasi ne i përshtatim në varësi të aftësive, dhe objektivave që duhet të arrijmë në zhvillimin e përgjithshëm, por edhe në komunikim. Por lojërat që përdorim më tepër janë
Lojërat Fizike- përgjithësisht gjatë terapive në grup dhe që zhvillohen në park, oborr por edhe brenda, si hedhja, kërcimi, ecja, loja me top etj.
Loja me objekte – Të luash me lodra, pazëll, kukulla etj

Loja simbolike: Kjo formë e lojës fillon të shfaqen në moshën 12 muajshe kur fëmija fillon të përdorë tingujt si një formë komunikimi.

Loja pretenduese – Bëjmë sikur vishemi, bëjmë sikur gatuajmë, vendosja në role të ndryshme si princeshë, doktor etj.

Loja sociale – Të ndërveprojë me bashkëmoshatarët dhe të rriturit, të mësojë se si të japë dhe marrë, të ndajë me të tjerët dhe të ndërtojë marrëdhënie.

5. Ju punoni prej disa kohësh jashtë Shqipërisë, A ka ndonjë ndryshim terapia që bëhet në Suedi me atë në vendin tonë?

Përsa i përket terapisë logopedike, nuk ka ndonjë ndryshim të madh sepse edhe në Shqipëri punohet me metodën që bazohet në lojë dhe metodat e tjera janë pak a shumë njësoj. Ndryshimi qëndron më tepër tek terapitë e zhvillimit, sepse kultura suedeze vlerëson shumë kohën e kaluar jashtë, veçanërisht kohën e kaluar nga fëmijët në lojëra të lira dhe të pastrukturuara. E njëjta gjë ndodh edhe me terapinë e cila bazohet në lojëra kryesisht të pavarura apo lojëra ku fëmija është lider (child lead therapy).

Mësuesit dhe terapistët suedezë inkurajojnë lojën më të pavarur dhe të rrezikshme, e cila ndërton karakterin, forcën dhe qëndrueshmërinë e fëmijëve.
Këtu është një ndihmë e madhe, edhe pjesa hapësirave të lojërave të brendshme dhe të jashtme të cilat janë të shumta dhe inkurajojnë kreativitetin, imagjinatën, dhe zhvillimin e aftësive motorike.

6. Lojërat që sugjeroni për fëmijët që mund ti ndihmojë për tu aftësuar?

Aktivitetet dhe lojërat janë të ndryshme në varësi të moshës:

Në moshën 0-1 vjeç është e rëndësishme loja në tapet fëmija rri me bark apo ulur me mbështetje me jastëkë dhe prindi i tregon dhe emërton figura dhe objekte të ndryshme, gjithashtu do sugjeroja lojën e pasqyrës si edhe të imitimeve të tingujve (kafshë apo objekte si makina etj).

Për moshën 1-3 vjeç: loja ta-ta, shfletimi I librave për koordinimin e duarve, ndërkohë bëni edhe emërtim të figurave, lojëra me top dhe flluska për kontaktin me sy dhe motorikën fine, sigurisht pazëll, kuba dhe forma, kënge dhe kërcime. Lojëra simbolike si imitime me objekte dhe lojëra pretenduese : doktori, kuzhinieri etj.

Gjithashtu, ajo çfarë mund të keni parasysh për ti dhënë mundësi fëmijës të luaj është që të:

Siguroheni që fëmija të ketë hapësirën e nevojshme për të zhvilluar lojën e tij. Fëmija mund të luaj në sallon, në dhomën e tij ose në oborrin e shtëpisë.
Sigurohuni që mjedisi ku fëmija juaj luan të jetë i sigurt dhe përreth tij të mos ketë mjete të rrezikshme që mund të cënojnë mirëqenien e tij fizike në mënyrë që prindi të mos bëjë ndërhyrje si psh: kujdes, mos, do vritesh.

Ofrojini fëmijës një shumëllojshmëri objektesh dhe lojërash si pazëlla, kuba, lego, kukulla, makina etj por të alternuara në ditë të ndryshme që fëmija të ketë larmishmëri gjatë javës e që loja e tij, përqendrimi dhe interesi i tij ndaj lojës të jetë edhe më i madh.

Nxirreni fëmijën shpesh gjatë javës në parqe lojërash të hapura ose në mjedise natyrore.

Vëzhgojeni fëmijën kur luan në këto mjedise, por mos ndërhyni shumë në lojën e tij.

Evitoni përdorimin e mjeteve teknologjike si telefon, televizorë, sepse ajo çfarë fëmija mund të përfitojë nga loja është shumë më shumë se sa ajo çfarë ofron teknologjia. Shpesh në konsulta me prindër më thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër pasi fëmija qan.

Qëndroni pranë fëmijës suaj në këto momente, dhe mundohuni të krijoni situata dhe lojëra që të tërheq interesin, dhe vëmendjen e tyre.

 

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.