“Muzika e qetë në sfond mund të jetë qetësuese për foshnjat e porsalindura, veçanërisht në kohën e gjumit. Gjithashtu muzika mund të ndihmojë në zhvillimin e trurit të foshnjës për të marrë informacion, ku kjo aftësi do të ndikojë në aftësitë e komunikimit të fëmijës më vonë,” shpjegon logopedia Kjezi Bajraktari.

Në një intervistë për Bebja.com Kjezi thotë se fëmijët Disleksik duhet të mbahen në mënyrë të vazhdueshme në kontakt me muzikën. Kjo pasi muzika është cilësuar si “armë pozitive” në luftën kundër disleksisë. Aktivizimi i fushave të trurit që përdoren në muzikë, mund të jetë një mbështetje e vlefshme për trajtimin e disleksisë.

Intervista e plotë:

1. Te fëmijët e vegjël vëmë re se pëlqejnë muzikën, e dëgjojnë me vëmendje, buzëqeshin, fillojnë të lëvizin, madje qajnë po ta ndërpresësh. Çfarë roli ka në zhvillimin e fëmijëve nën tre vjeç?

Muzika cilësohet shumë e rëndësishme për fëmijët e moshës së hershme. Bëhet fjalë për periudhën moshore 0-3 vjeç, në të cilën zhvillimi është shumë intensiv dhe i shpejtë.

Që kur foshnjat janë ende në mitër, ato mund të fillojnë të zhvillojnë një preferencë muzikore. Studimet kanë treguar nga muaji i gjashtë deri në muajin e shtatë të shtatzënisë, fetusi është në gjendje të kuptojë stimujt që vijnë nga jashtë dhe në veçanti, mund të dallojë zërin e nënës. Ato dëgjojnë meloditë dhe ritmet ndërsa janë në barkun e nënës. Muzika e qetë në sfond mund të jetë qetësuese për foshnjat e porsalindura, veçanërisht në kohën e gjumit. Gjithashtu muzika mund të ndihmojë në zhvillimin e trurit të foshnjës për të marrë informacion, ku kjo aftësi do të ndikojë në aftësitë e komunikimit të fëmijës më vonë.

Përmendim lidhjen mes muzikës, gjuhës dhe lëvizjeve. Përmes të dëgjuarit të këngëve dhe të kënduarit arrihet formimi i tingujve të parë te fëmijët e vegjël, duke u rritur në fjalë, fjali deri në këndimin e plotë të këngës. Gjithashtu arrihen dhe realizimi i lëvizjeve motore, kërcime përmes ndjekjes së ritmit, i cili ka aftësinë të stimulojë fëmijën të lëvizë natyrshëm dhe të lumtur.

Përfitimet e muzikës me fëmijët e vegjël është se ajo kontribuon në sigurinë, rehatinë dhe paqen, dhe dëgjimi i muzikës ndihmon në rritjen e kujtesës dhe vëmendjes. Muzika ndihmon edhe zhvillimin fizik të fëmijëve që kanë lindura para kohe.

2. Çfarë roli ka muzika në zhvillimin e kujtesës verbale dhe aftësive hapësinore?

Kënaqësia që përcjell të dëgjuarit të muzikës si dhe të kënduarit, sjell çlirimin e dopaminës në tru e cila është e lidhur me motivimin, duke përfshirë këtu kujtesën dhe të mësuarin.

Sipas studimeve, është vërtetuar se pacientët që dëgjojnë muzikë kanë përmirësim në kujtesën verbale ,përqendrim si dhe janë nxitur më tej në aftësinë hapësinore.

3. A parandalon disleksinë? A duhet mbajtur fëmija në kontakt të vazhdueshëm me muzikën?

Përgjigjia e kësaj pyetjeje është padiskutim Po. Një këshillë që ne profesionistët japim është se fëmijët Disleksik duhet të mbahen në mënyrë të vazhdueshme në kontakt me muzikën. Kjo pasi muzika është cilësuar si “armë pozitive” në luftën kundër disleksisë. Aktivizimi i fushave të trurit që përdoren në muzikë, mund të jetë një mbështetje e vlefshme për trajtimin e disleksisë. Studimi i muzikës nxit aftësinë për të lexuar dhe përpunuar zërin.

4. A I ndihmon muzika fëmijët të flasin më herët? Apo i pengon?

Qasja ndaj muzikës te fëmijët nën 3 vjeç ndihmon në zhvillimin e aftësive gjuhësor, përmes memorizimit dhe dallimit të tingujve. Lojërat që i mundësojnë fëmijëve të ndërveprojë me muzikën mund të përmirësojnë aftësitë gjuhësore dhe fjalorin tek to.
Por, duhet të bëjmë kujdes.

Jo ekspozimi i fëmijës në moshën 0-3 vjeç ndaj pajisjeve ndihmëse që realizojnë dëgjimin e muzikës siç janë telefonat, iPad etj .Këto nuk e ndihmojnë të folurin e fëmijës. Ndërveprimi fëmijë-prind apo, fëmijë-fëmijë-edukatore ,në çerdhe/kopësht, duke kënduar, interpretuar, dëgjuar muzikë sëbashku apo luajtur vegla muzikore, e ndihmon shumë të folurin e tyre.

5. A e përdorni terapinë e muzikës? Nëse po të lutem na tregoni një përvojë?

Një nga terapitë që unë trajtoj në klinikë me fëmijë dhe që ka shfaqur rezultatet të kënaqshme, është terapia e muzikës. Disa ide se si ne përdorim muzikën në terapi janë:

1.Përdorim këngë për të mësuar fjalë të reja të fjalorit
2.Përdorim këngë për të praktikuar strukturën e fjalisë
3.Përdorim këngë për të punuar në aftësitë artikuluese
4.Përdorim këngë për të promovuar aftësitë e dëgjimit
5.Përdorim këngë për të lehtësuar ndërveprimin social.

Me fëmijët averbal, muzikoterapi realizohet nga vetë fëmija duke i rënë një vegle muzikore psh: ksilofonit dhe fëmija dëgjon tingujt që instrumenti lëshon ,apo duke kërcyer me një këngë që terapistia këndon përpara pasqyrës.

Ndërsa në fëmijët verbal, bashkëpunimi me terapisten është i ndërsjelltë nga të dyja palët ,duke zgjedhur këngën që fëmija dëshiron t’a këndojnë sëbashku, apo instrumentin që pëlqen ose dhe dëgjimi i këngës nga pajisje të tjera ndihmëse.

Psh:

Një vajze i pëlqen kënga” Koka, shpatullat, gjunjët dhe gishtat e këmbëve”

Kjo këngë argëtuese për fëmijë është e përkryer për ta ngritur dhe lëvizur fëmijën. Është një mënyrë e shkëlqyer për të mësuar pjesët e trupit dhe për të ndihmuar fëmijën të zhvillojë aftësitë motorike.

Të dyja së bashku e këndojmë shoqëruar me lëvizje dhe vallëzuar përpara pasqyrës.

Së fundi, mund të shpreh se muzika luan një rol të mrekullueshëm në jetën e fëmijëve të vegjël si dhe të prindërve të tyre. Përmes muzikës, fëmijët lidhin ndjenjat e tyre dhe kuptojnë botë që i rrethon. Ata veprojnë që nga komunikimi më i hershëm me prindërit e tyre, deri tek loja muzikore me shokët.

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.