“Biberoni fallco të mbahet i pastër, sidomos në 6 muajt e parë të jetës, kur sistemi imunitar akoma nuk ka fituar maturinë e duhur.
Rekomandohet qe të vlohen vazhdimisht për sterilizim ose të lahen në lavastovilje disa herë në javë,” kështu shpjegon logopedia Alketa Buba.
Në një intervistë për Bebja.com Alket Buba thotë se biberoni fallco (çuçi) është një mjet që ndihmon fëmijën të qetësohet, të flejë më shpejt dhe i jep suport emocional. Nuk ka asnjë problem, që foshnjat ta përdorin nëse e pranojnë. Por në momentin kur e refuzojnë, nuk duhet këmbëngulur nga prindi, për t’ua imponuar.
Intervista e plotë:
1. A duhet që një fëmijë të mbajë çuçin, biberonin fallco?
Biberoni fallco (çuçi) është një mjet që ndihmon fëmijën të qetësohet, të flejë më shpejt dhe i jep suport emocional. Nuk ka asnjë problem, që foshnjat ta përdorin nëse e pranojnë.
Por në momentin kur e refuzojnë, nuk duhet këmbëngulur nga prindi, për t’ua imponuar. I duhet lënë fëmijës në dorë, edhe frekuenca e përdorimit të tij. E theksoj që nuk është e nevojshme të përdoret kur fëmija është i qetë apo kur ndërvepron me prindërit ose persona të tjerë.
2. Në farmaci apo supermarkete, ku është më i mirë të blihet?
Sigurisht që rekomandoj të blihen në farmaci, duke marrë parasysh që janë ambiente me higjienizim të lartë. Si dhe mund të ofrojnë një shumëllojshmëri të biberonëve fallco, po ashtu mund të merret dhe këshillimi rreth biberonit më të përshtatshëm për fëmijën. Por gjithsesi, kjo është një zgjedhje personale e prindërve.
3. Sa kohë mund të përdoret një biberon fallco? Sa shpesh duhet të ndërrohet? Mënyra më e mirë për ta pastruar që të mos mbajë mikrobe?
Frekuenca e ndërrimit të një çuçi varet dhe nga fakti se sa shpesh e përdor fëmija. Në përgjithësi është e rekomandueshme të ndërrohen të paktën çdo 2-4 javë, sepse mund të grumbullohen baktere (ndoshta nga mos pastrimi i mirë) si edhe sepse shpesh dëmtohen (çahen) tek maja e tyre duke krijuar copëza që fëmija mund ti gëlltisë gjatë thithjes dhe mund të rrezikojnë deri në mbytje.
Është shumë e rëndësishme që biberoni fallco të mbahet i pastër, sidomos në 6 muajt e parë të jetës, kur sistemi imunitar akoma nuk ka fituar maturinë e duhur. Rekomandohet qe të vlohen vazhdimisht për sterilizim ose të lahen në lavastovilje disa herë në javë .
4. Cilat janë efektet që ka te fëmija? A e qetëson?
Siç e thashë më sipër biberonet fallco ndihmojnë fëmijën të qetësohet dhe i japin suport emocional (si dhe shpërqendrim) gjatë situatave stresuese si psh: bërja e vaksinave, marrja e gjakut, fluturimet, dhimbjet e barkut etj . Biberonët fallco, sipas disa studimeve ulin dhe riskun për SIDS ( sindroma e vdekjes së papritur të foshnjave ).
Pra ka përfitime në përdorimin e tij. Por prindërit, duhet të bëjnë kujdes, të mos përdorin gjithmonë çuçin për t’a qetësuar fëmijën, mundet si fillim t’i ndërrojnë pozicionin e qëndrimit, t’a marrin në krahë, t’i këndojnë dhe flasin dhe çuçi le të jetë mjeti i fundit për t’a qetësuar.
5. Deri në çfarë moshe duhet të mbajë çuçin?
Duhet patur pak kujdes dhe me kohën e prezantimit të biberonit fallco tek foshnja, sidomos tek nënat që ushqejnë me gji. Në këto raste, rekomandohet të pritet deri sa foshnja të jetë 3-4 javësh dhe të jetë përshtatur me thithjen e gjirit.
Kohëzgjatja e përdorimit është alternative, por duke marrë parasysh dhe zhvillimin gjuhësor të fëmijës, pas moshës 7-8 muajshe kur kanë filluar belbëzimet dhe eksperimentet e shumta të fëmijës me vokalizma, rekomandohet të përdoret në mënyrë më të reduktuar, që kaviteti oral të jetë më i lirë për të tilla aktivitete dhe jo i zënë nga biberoni fallco.
Gjithashtu pas moshës 12 muajshe rekomandoj që të fillohet dhe shkëputja prej tij, në mënyrë graduale, që fëmija të ketë më shumë mundësi për të eksploruar vokalisht si edhe të fillojë procesi i maturimit të mekanizmave vetëqetësues.
6. Nëse fëmija e mban çuçin pas moshës 2-vjeçare, a dëmton strukturën e harkut dentar, pozicionimin jo të saktë të gjuhës dhe buzëve?
Në konsultat dhe bashkë këshillimet që bëjmë me mjekë ortodontë dhe nga praktika e përditshme e punës rezulton që përdorimi pas moshës 2 vjeçare i biberonit fallco shpesh ( jo gjithmonë ) mund të japë dëmtim të strukturave orale ( të harkut dentar dhe pozicionimit të gjuhës apo buzëve) sepse këto struktura mësohen në atë pozicion duke mbajtur çuçin në gojë, që nuk është fiziologjik, dhe duke prekur kështu edhe aftësitë për të artikuluar saktë në vitet e mëvonshme të jetës.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.