“Qëndrimi për një kohë të gjatë para ekranit, ndikon në shëndetin e fëmijës, duke prekur shëndetin e syve si dhe rrit riskun për obezitet. Ndikon në procesin e të mësuarit, dhe zhvillimit gjuhësor të fëmijës, duke e ngadalësuar atë duke qenë se gjatë kësaj kohe fëmija nuk ka interaktivitet.
Ndikon në sjelljen e fëmijës, sepse fëmijët që kalojnë shumë kohë para ekraneve shfaqin nervozizëm, probleme me përqendrimin, probleme me gjumin.” Shpjegon logopede Ana Mene.
Logopedia, apelon që prindërit të mos lejojnë fëmijën të përdori telefonin apo televizorin, gjatë procesit të ushqyerjes.
Intervista e plotë:
1. Shumica e prindërve për të bindur fëmijën e tyre të hajë ushqim e bindin përmes celularit, duke i treguar video. Çfarë sugjeroni?
Kjo ndodh kryesisht, sepse fëmijët që refuzojnë ushqimin gjatë përdorimit të telefonit, e zhvendosin fokusin e tyre te ekranet, ç’ka e bën më të lehtë për prindin që ta ushqejë. Mirëpo, kjo gjë afekton negativisht disa procese gjatë ushqyerjes si:
-shijimin pra lidhjen e asaj çfarë fëmija ha dhe shijes që ka.
-prek sinjalet e ngopjes, sepse truri i fëmijës është i fokusuar jo te ushqimi, por te ekrani.
-ndikon në sinjalet që truri nis në stomak, duke prekur edhe sistemin e tretjes.
Do të sugjeroja që:
-Të shmangni përdorimin e telefonit, apo televizorit, gjatë procesit ushqyerjes.
– Prindërit ti përfshijnë herë pas here fëmijët në procesin e gatimit sepse kjo rrit edhe interesin e fëmijës për ushqimin.
-Të përpiqen që një vakt gjatë ditës, të konsumohet në të njëjtën kohë me pjesëtarët e tjerë të familjes, kjo sepse gjatë kësaj kohe fëmija mëson të përshtatet e të ndjekë “rregullat” e kohës së ushqimit. Gjithashtu, këtë kohë mund ta shfrytëzoni për të nxitur komunikimin, dhe interaktivitetin me personat e tjerë të familjes.
-Ushqimet, dhe shijet e reja, ti prezantohen gradualisht dhe në forma të ndryshme, në mënyrë që ta lejojmë fëmijën të eksplorojë me shijet, teksturat e format e ushqimit.
2. Disa fëmijë, kanë varësi nga celulari, në momentin që shikojnë këtë pajisje fillojnë të qajnë, këmbëngulin deri sa ta marrin? Kur ua merr nga dora bëjnë të njëjtën gjë, qajnë?
Po ndodh shpesh dhe kryesisht, atëherë kur fëmijët shohin programe mbistimuluese (që kanë drita të forta, lëvizje të shpejta e disa tinguj të ndryshëm, në të njëjtën kohë).Këto lloj programesh nxisin varësinë te fëmijët.
Do të sugjeroja, që të shmangen programet e sipërpërmendura, dhe gjithashtu, për fëmijët mbi 2 vjeç prindërit mund të caktojnë një kohë (të limituar) gjatë ditës, që fëmija mund të ndjekë një program të caktuar, gjithmonë të kontrolluar nga prindi. Gjithashtu, duke ja shpjeguar fëmijës psh: “Në fillim do të mbledhim lodrat te kutia pastaj do të shikojmë pak Televizor .”
3. Deri në çfarë moshe fëmija nuk duhet të ekspozohet para ekranit të televizorit, celularit dhe tabletit?
Deri në moshën 2 vjeç, rekomandohet që fëmijët të mos ekspozohen para ekraneve të ndryshëm, si telefonit, televizorit, kompjuterit.
4. Sa orë duhet të ndjekë televizor një fëmijë 2-5 vjeç? Çfarë programesh sugjeroni që të ndjekin?
Nga mosha 2 deri në 5 vjeç fëmijët mund të shohin maksimumi 1-1.5 orë (total) Televizor gjatë ditës. Sugjerohet të jenë programe edukative, që i prezantojnë fëmijët me koncepte e fjalë të reja, gjithmonë, të përshtatshme për moshën e tyre e të kontrolluara, nga prindi. Të shmangen programet mbistumuluese.
5- Qëndrimi për një kohë të gjatë para ekraneve televizor, celular, tablet, çfarë ndikimi ka tek sjellja, komunikimit dhe shëndeti i fëmijës?
Qëndrimi për një kohë të gjatë para ekranit, ndikon në shëndetin e fëmijës, duke prekur shëndetin e syve si dhe rrit riskun për obezitet. Ndikon në procesin e të mësuarit, dhe zhvillimit gjuhësor të fëmijës, duke e ngadalësuar atë duke qenë se gjatë kësaj kohe fëmija nuk ka interaktivitet. Ndikon në sjelljen e fëmijës, sepse fëmijët që kalojnë shumë kohë para ekraneve shfaqin nervozizëm, probleme me përqendrimin, probleme me gjumin.
6. Në fund të kësaj interviste, të lutem një mesazh për prindërit?
Limitoni kohën para ekraneve !Kaloni kohë cilësore me fëmijët tuaj si dhe përpiquni të zhvilloni sa më shumë aktivitete e lojëra në natyrë.
*Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.