“Fëmijët të njihen me ushqimin e ngurtë, përveç qumështit të gjirit ose formulave për foshnjat rreth moshës 6 muaj. Në këtë fazë, shumica e bebeve kanë zhvilluar aftësitë e nevojshme për të filluar të hanë ushqimet të ngurta, në konsistencë dhe teksturë të ndryshme, si dhe kane zhvilluar më mirë aftësitë e motorikës së tyre të përgjithshme, siç është qëndrimi ulur me pak mbështetje dhe zgjatja për të kapur ushqimin e prindërve,” kështu shpjegon nutricionistja Gerta Veliu.

Në një intervistë për Bebja.com, Gerta Veliu thotë se nëse bebi juaj tregon interes për ushqimin që ju hani ose ju ndjekë me sy, mund të jetë një shenjë që janë kurioz dhe ju duhet t’ju ofroni mundësinë për të provuar shije të ndryshme (ushqime që lejohen brenda një vjeçarit të tyre).

Intervista e plotë:

1. Gerta, shpesh herë nënat e reja pyesin: Kur duhet të fillojë ushqimin e ngurtë fëmija? Në çfarë moshe?

Sipas udhëzimeve të Akademisë Amerikane të Pediatrisë dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të cilët rekomandojnë që fëmijët të njihen me ushqimin e ngurtë, përveç qumështit të gjirit ose formulave për foshnjat rreth moshës 6 muaj. Në këtë fazë, shumica e bebeve kanë zhvilluar aftësitë e nevojshme për të filluar të hanë ushqimet të ngurta, në konsistencë dhe teksturë të ndryshme, si dhe kane zhvilluar më mirë aftësitë e motorikës së tyre të përgjithshme, siç është qëndrimi ulur me pak mbështetje dhe zgjatja për të kapur ushqimin e prindërve. Nëse prindi shikon edhe interes të shtuar të fëmijës për ushqime që konsumojnë vet, atëherë është e rëndësishme të konsultoheni paraprakisht edhe me pediatrin për të parë zhvillimin, peshën dhe gjatësinë dhe të keni parasysh më pas këto këshilla:

1. Së pari duhet të dini që çdo fëmijë është i ndryshëm. Por nëse shikoni këto shenja:

▪️Ulet vetëm ose me pak mbështetje.

▪️Është në gjendje të kontrollojë kokën dhe qafën.

▪️Hap gojën kur ofrohet ushqimi dhe shfaq interes të theksuar për të dhe ndjek prindërit me sy kur konsumojnë ushqim.

▪️Gëlltit ushqimin në vend që ta nxjerr atë jashtë gojës.

▪️Ka fituar aftësitë koordinuese të duarve. I sjell objektet drejt gojës.

▪️Përpiqet të kapë objekte të vogla, si lodra ose ushqime në dimensione të ndryshme.

▪️Ka aftësinë ta kalojë ushqimin nga pjesa e përparme në pjesën e pasme e gojës nëpërmjet përdorimit të gjuhës.

Atëherë fëmija juaj është gati për të nisur ushqimin e ngurtë.

2. Së dyti këshillohet një konsultë me pediatrin për rritjen e fëmijës në peshë dhe gjatësi e cila duhet të ndjek sipas një kurbe normale zhvillimin e bebit. Vetëm nëse pesha e tij është nën kurbën mesatare të rritjes dhe zhvillimit mund të këshillohet të fillohet ushqim i ngurtë pak më përpara moshës 6 muajshe, zakonisht brenda intervalit 4 deri 6 muajsh. Ushqimi i ngurtë te bebet nuk rekomandohet aspak përpara 4 muaj.

2. Si ta kuptojnë nënat që fëmija i tyre është gati të fillojë ushqimin? Shenjat dalluese?

Çdo bebe është e ndryshe, ndaj shpesh kjo bëhet një dilemë e madhe për çdo prind të ri, ndaj një vlerësim nga një nutricionist për bebe dhe fëmijë ka një rol të domosdoshëm në nisjen e procesit të nisjes së ushqimit të tillë ngurtë dhe kohës kur fëmija është gati.

Përveç moshës dhe motorikës së përgjithshme dhe asaj fine, një shenjë tjetër dalluese është prezenca e një refleksi natyral që bën që ushqimi të dalë nga goja e tyre me gjuhën. Kur ky refleks zvogëlohet, është një shenjë që mund të jenë gati për ushqimet e ngurta në copa ose siç quhet në teksturën reale të tyre (finger food).

Gjithashtu, interesi i shtuar për ushqim. Nëse bebi juaj tregon interes për ushqimin që ju hani ose ju ndjekë me sy, mund të jetë një shenjë që janë kurioz dhe ju duhet t’ju ofroni mundësinë për të provuar shije të ndryshme (ushqime që lejohen brenda një vjeçarit të tyre.

Një tjetër aftësi që duhet dalluar është në lidhje me gëlltitjen. Bebi juaj duhet të jetë në gjendje të lëvizë ushqimin nga pjesa e përparme e gojës në pjesën e pasme për të gëlltitur, edhe nëse ende nuk kanë dhëmbë. Kjo i takon pjesës së motorikës orale, e cila duhet trajnuar në mënyrë konsistente derisa fëmija të fitoj vetëbesim dhe siguri.

Nevoja e shtuar për ushqim. Nëse bebi juaj duket më i uritur sesa zakonisht, edhe pse ushqehet shpesh me qumësht, kjo mund të jetë një shenjë tjetër që ata kanë nevojë për më shumë ushqim shtesë atij të gjirit ose formulës që janë duke marr në ditë.

Një shenjë tjetër është hapja e gojës dhe lëpirja e buzës pas lugës të cilën e bëjnë totalisht në mënyrë të vullnetshme kur u afrohet ushqimi ose luga.

Pyetja 3. Sa duhet të jetë pesha e fëmijës?

Nuk ka një kërkesë të veçantë për peshën kur një bebe duhet të fillojë ushqimet e ngurta. Por ka një vlerësim të përafërt i cili i referohet dyfishit të peshës së lindjes së bebes. Në vend të kësaj, është më e rëndësishme të kërkoni shenjat e gatishmërisë zhvillimore, siç u përmend në pyetjet më sipër, si mosha dhe zhvillimi i motorikës së përgjithshme dhe asaj fine, sepse pesha vetëm nuk është treguesi i vetëm.

Pyetja 4. Pyetja më e shpeshtë që bëjnë nënat në blogun tonë: Si t’ia fillojë ushqimin fëmijës? A duhet një rend? Cilat janë llojet e ushqimeve të ngurta që rekomandoni të përdoren për fëmijët 6 muajsh deri në 1 vjeç?

Për të filluar të prezantoni ushqimet e ngurta shtesë të fëmijës suaj, mund të ndiqni këto hapa:1. Filloni me ushqime të thjeshta individuale: me pure frutash dhe perimesh. Kjo ju ndihmon të identifikoni çdo alergji ose ndjeshmëri potenciale si dhe të prezantoni fëmijën me çdo shije të ndryshme individuale të ushqimeve.

2. Prezantoni ushqime të reja gradualisht dmth, një ushqim të ri në një kohë dhe prisni një deri tre ditë para se të prezantoni një tjetër. Kjo bën që të jetë më e lehtë të identifikoni reaksione të mundshme dhe që fëmija të ambientohet dhe të majorizoj shijet.

3. Gradualisht ndryshoni teksturën. Me kalimin e kohës rreth çdo 2 jave, gradualisht prezantoni tekstura më të trasha dhe kokrrizore ose dhe në copa ushqimesh të buta sipas metodës Baby Led Ëeaning (BLË).

4. Testoni ushqimet me alergenët e përgjithshëm: Kujdesuni kur prezantoni ushqime të zakonshme që shkaktojnë alergji si veza, kikirikat, bulmeti, gruri, molusqet, farat dhe arrat etj. Këto ushqime alergjike rekomandohen të testohen sa më herët te fëmija për ti ruajtur dhe zbuluar sa më herët mundësitë për intoleranca ushqimore ose alergji.

5. Kujdesuni për rrezikun e mbytjes. Çdo prind dhe çdo person që punon me fëmijë duhet të japë ndihmën e parë te bebet dhe fëmijët. Vetëm duke qenë i informuar, një prind nuk do të ketë frikë të ndjek zhvillimin natyral të procesit të ushqyerjes te fëmija. Duke u njohur me të gjitha teknikat ndihmëse, evitoni kështu mundësinë nga mbytja me ushqimet që mund të shkaktojnë rrezik për mbytje, psh. si ti ofroni një kokërr qershi të plotë, arrat deri te tekstura më e fortë ajo e karameleve të forta. Niset me tekstura të buta në fillim, për të praktikuar të gjitha teksturat ushqimore gradualisht ditë pas dite.

Për sa i përket llojeve të ushqimeve të ngurta të rekomanduara për fëmijët në moshën 6 muaj deri në 1 vit:

1. Qumështi duhet të vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishme në ushqyerjen e fëmijës.

2. Drithëra të ndryshme, orizi, misri, gruri, tërshëre, meli, hikrre, amaranth etj.

3. Frutat dhe perimet e para si: Mollë, dardhë, kumbulla, pjeshkë, banane dhe avokado. Karota, patate të ëmbël, kungull i ëmbël, kungull jeshil, patate e zakonshme etj.

4. Proteinat si mishrat e ndryshëm, mish zogu, pule, gjeli, viçi dhe peshku kryesisht salmon dhe merluc.

Një dietë të balancuar dhe përshtatur nevojave për rritje dhe zhvillim të fëmijës është baza e një ushqyerje të shëndetshme.

Pyetja 5. A mund të sugjeroni 1-2 recetat me ushqime të ngurta për fëmijët 6 muajsh deri në 1 vjeç?

Disa receta të thjeshta dhe të pasura në vlera ushqimore janë kryefjala për fëmijët në moshën 6 muaj deri në 1 vit:

1. Patate të ëmbla dhe karota të pjekura në furrë

2. Drithëra të përziera me një frutë dhe një lugë të vogël vaj ulliri.

3. Pure perimesh me lëng mish pule

4. Biskota me tërshërë dhe molle

5. Salce e përgatitur me një vezë të plotë, avokado dhe krem djathi

6. Brokoli te zier ne avull dhe banane te shtypur me pirun.

7. Thjerreza të kuqe me domate dhe karota

8. Krem supe me brokoli, patate dhe lëng mish viçi etj.

Këto receta ofrojnë ushqime të pasura në ushqim dhe janë të lehta për të ngrënë për fëmijët që po eksplorojnë ushqimet të ndryshme dhe duhet të hanë vakte të balancuara me vlerat e duhura përbërëse për vaktet e tyre./Bebja.com

 

*Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.