Benefitet e Terapisë së Artit, në Terapinë Logopedike. Ndërthurja mes tyre dhe roli që ka ajo në gjendjen emocionale, krijimtarinë dhe imagjinatën e fëmijëve. Stelina Stanga Logopede, në një intervistë për Bebja.com shpjegon teknikat dhe përvojën e saj lidhur me këtë lloj terapie.
Terapia e artit, është një formë psikoterapie që inkurajon të shprehurin përmes një pikture, vizatimi, skulpture apo çdo formë tjetër arti. Ajo mund të përdoret, si një komponent i terapisë logopedike.
Për të kuptuar pse terapia e artit, është një formë efektive e terapisë logopedike, duhet të kujtojmë se në formën e tij më të thjeshtë, arti është një mënyrë për të shprehur veten.
Intervista e plotë:
1. Ndryshe nga intervistat e tjera, tek ju Stelina na bëri përshtypje që përdorni terapinë e artit tek fëmijët. Si e realizoni? Teknikat që përdorni?
Arti vjen në të gjitha format dhe fëmijë të ndryshëm, mund të preferojnë të punojnë me materiale të ndryshme. Fëmijëve i ofrohen bojëra, penela, lapsa, argjilë, letër ndërtimi, shkumës, rërë, ngjitëse. Gjithashtu, mund të përdorin pëlhura, kukullat, veshje, artikujt e bërjes së maskave, por edhe muzikë për vallëzim. Të gjitha këto përbëjnë një sfond të përsosur, që arti të përdoret si terapi e të folurit.
2. Për cilët fëmijë e përdorni kryesisht? Si i ndihmon fëmijët terapia e artit?
Terapia e Artit dhe Terapia Logopedike, ndajnë komponentë të ngjashëm që lidhen me gjuhën dhe shprehjen, si shprehja me tonin e zërit dhe orientimi i trupit. Terapia e artit është një formë komunikimi, që lejon individët të shprehen përmes përdorimit të mediumeve vizuale.
Terapia e Artit, ndërthurur me elementë të Terapisë Logopedike, përmirëson gjithashtu aftësinë e fëmijëve me paralizë cerebrale, për t’u përfshirë në sjellje të qëllimshme, duke përfshirë funksionet e të folurit dhe gjuhës, veçanërisht gjuhën receptive.
3. Roli që ka tek imagjinata, krijimtaria, mendimet dhe gjendja emocionale?
Terapia e artit, mund t’i ndihmojë fëmijët në gjendjen emocionale të tyre. Pavarësisht, nëse janë të mërzitur, të zemëruar, të lumtur apo të emocionuar, fëmijët mund t’i vendosin këto emocione, në një vizatim nëse e kanë të vështirë për ta përshkruar me fjalë. Kjo krijon një hapje për biseda, dhe më shumë mundësi për të shprehur mendimet dhe ndjenjat e tyre.
Aktivitetet artistike, mund t’i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësi krijuese, për zgjidhjen e problemeve duke i lejuar ata të mendojnë dhe të gjejnë zgjidhje kreative për çështje të ndryshme.
4. Disa nga përfitimet, që vijnë nga terapia e artit? Psh. Për aspektin social, aftësitë kognitive, emocionale dhe fizike?
Terapia e artit, i ndihmon fëmijët të identifikojnë, dhe shprehin ndjenjat e tyre, duke u mundësuar atyre të kuptojnë më mirë emocionet e tyre, dhe të ndërtojnë një ndjenjë më të fortë të vetëvlerësimit.
Duke iu ofruar fëmijëve një hapësirë të sigurt, për të eksploruar ndjenjat e tyre, terapia e artit, u lejon atyre të hapen për emocionet e tyre dhe të komunikojnë më mirë me të tjerët. Kjo gjithashtu mund të ndihmojë në uljen e ankthit, stresit dhe emocioneve të tjera negative. Aktivitetet artistike i lejojnë fëmijët të përqendrohen në një detyrë në të njëjtën kohë, gjë që mund të ndihmojë në përmirësimin e hapësirës së vëmendjes së tyre si dhe të inkurajojë zhvillimin kognitiv.
5. Si e ndihmon terapia e artit një fëmijë të komunikojë me të tjerët?
Fëmijët nxiten të flasin për veprat e tyre artistike, dhe iu kërkohet të ndajnë me të tjerët atë që po punojnë. Kjo i jep një mundësi fëmijës të fitojë vetëbesim, dhe përvojë në të folurin në publik. Terapia e artit, është e dobishme për të punuar në aftësitë gjuhësore shprehëse dhe gjithashtu në gjuhën receptive të fëmijës.
Terapia e artit është një formë argëtuese, dhe shprehëse e botës së tyre dhe për fëmijët averbal. Fëmija, mund të mos jetë i aftë të komunikojë në mënyrë verbale, por ai mund të marri komanda, dhe të vizatojë sipas kërkesës.
6. Të lutem! A mund të tregoni një përvojë lidhur me terapinë e artit?
Terapia e Artit, mund ta ndihmojë fëmijën, të shijojë terapinë e të folurit, duke mësuar aftësi të reja në të njëjtën kohë.
Ai do të inkurajohet të “përdorë fjalët e tij” për të përshkruar atë ç’ka ai po bën. Për shembull, nëse fëmija po pikturon diçka, në vend që ta pyesim nëse ka pikturuar një foto, logopedi mund të nxjerrë më shumë fjalë duke e pyetur se çfarë ka pikturuar, cilat ngjyra ka përdorur, a të pëlqen imazhi që ke pikturuar, cila është ngjyra e preferuar etj.
Bebja.com