“Autizmi është një çrregullim neurobiologjik i zhvillimit, i cili shoqërohet me dëmtim të ndërveprimit social, dëmtim të komunikimit verbal ose joverbal, shoqërohet me sjellje steriotipike ose ndryshe përsëritëse, me interesa të ngushta, me rutina, mungese fleksibiliteti”-shpjegon logopedia Brunilda Lleshi.

Logopedia sqaron për Bebja.com se simptomat e para vihen re që pa bërë akoma 1 vjeç pra 8-9 muajsh.

Rreth moshës 1 apo 2 vjeç, ku shpesh ndodh që fillojnë të humbasin aftësitë sociale dhe gjuhësore.

Intervista e plotë:

1. Çfarë është çrregullimi i spektrit të Autizmit?

Autizmi është një çrregullim neurobiologjik i zhvillimit, i cili shoqërohet me dëmtim të ndërveprimit social, dëmtim të komunikimit verbal ose joverbal , shoqërohet me sjellje steriotipike ose ndryshe përsëritëse, me interesa të ngushta, me rutina, mungese fleksibiliteti. Shpesh herë shoqërohet edhe me problem me ushqyerjen, gjumin, vështirësi në koordinimin motor në disa raste.

Pra është një çrregullim shumëplanësh që prek shumë sfera të shëndetit.

2. Cilat janë simptomat e autizmit te fëmijët? Prindërit pyesin shpeshherë: a është fëmija im me autizëm? Si ta dalloj atë?

Te fëmijët simptomat e para vihen re që pa bërë akoma 1 vjeç pra 8-9 muajsh.

Rreth moshës 1 apo 2 vjeç, ku shpesh ndodh që fillojnë të humbasin aftësitë sociale dhe gjuhësore ( të kenë një regres në zhvillim) por kjo nuk ndodh tek të gjithë, pra autizmi duket ndryshe tek secili fëmijë, mirëpo dy kategori në të cilat grupohen simptomat e Çrregullimit të Spektrit të Autizmit janë:

1. Komunikimi social dhe ndërveprimi social ku fëmija paraqet një izolim social, nuk luan nuk bashkëvepron me të tjerët, nuk reagon ndaj emrit , nuk ka një kontakt me sy, nuk kupton marrëdhëniet dhe emocionet.

2. Sjelljet e përsëritura ku fëmija krijon rutina, kryen lëvizje përsëritëse, nuk luan me funksion me lodrat por i rregullon apo rreshton ato, kur kanë hiper ose hipo sensitivitet (ndjeshmëri të lartë apo të ulët) ndaj zhurmave, aromave, dritave.

3. Si diagnostikohen fëmijët me autizëm?

Diagnozën e Autizmit si kompetencë e ka profesionisti mjekësor, mjeku neuropediatër, psikiatri për fëmijët dhe adoleshentet, mirëpo një specialist i mirëinformuar apo dhe një prind i kujdesshëm identifikojnë shenjat e para të Çrregullimit të spektrit të Autizmit, konsultohet me profesionistet e lartpërmendur.

Sa më shpejt të identifikohen shenjat e para është mirë të ndërhyjmë pasi ndërhyrja e hershme sjell përmirësime më të mëdha në zhvillimin e fëmijëve.

4. Cilët janë faktorët e rrezikut për autizëm tek fëmijët? Autizmi a është i trashëguar apo mutacion gjenetik apo mënyra e jetesës së nenës, ambienti dhe ndotja?

Etiologjia është multifaktoriale por ende e papërcaktuar. Kërkimet shkencore dhe teoritë janë të shumta mirëpo teoria e cila po jep më shumë rezultate është gjenetika.

Në faktorët gjenetik thuhet për disa mutacione gjenetike që rrisin rriskun për shfaqen e Spektrit të Autizmit. Predispozite të lartë kanë ato individë që kanë histori familjare.

Në faktorët ambjental kemi, ekspozimi ndaj toksinave, infeksionet e nenës gjatë shtatzënisë si dhe komplikacionet gjatë lindjes.
Faktorët neurologjik, ndryshimet që ndodhin në strukturën, lidhjen dhe funksionin e trurit.

Hulumtimet e studiuesve na çojnë te një kombinim i faktorëve gjenetik lidhur me ato mjedisor dhe neurologjik.

5. Si trajtohet Autizmi, a ka ilaçe?

Ilaçe që “shërojnë” Autizmin nuk ka, edhe pse kohët e fundit po dëgjojmë mjaft individë “mjek popullor/alternativ” që marrin si kompetencë të thonë që shërojnë Autizmin, kjo gjë nuk ndodh! Nuk ka kura apo ilaçe për autizmin.

Trajtimi nëpërmjet terapive si terapi zhvillimi, terapi e sjelljes, terapi okupacionale, terapi logopedike janë parë që kanë përmirësuar simptoma dhe zhvilluar fëmijët me Autizëm.

Dietat ushqimore, suplemetete këto të konsultuara me mjekë përkatës janë ndihmuese ne fëmijët me Autizëm ne lidhje me vëmendjen dhe përqendrimin.

Theksoj që identifikimi dhe ndërhyrja e hershme nëpërmjet terapive është me rendësi për zhvillimin e fëmijëve pasi çon në rezultate pozitive të trajtimit të Autizmit.

Bebja.com

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.