“Fëmijët që kanë pasur vështirësi në shkollë, veçanërisht ata me probleme të të mësuarit, probleme emocionale apo sociale shpesh ndihen më shumë të shqetësuar sesa të emocionuar për t’u kthyer në shkollë”, kështu shpjegon Elona Dashi, mjeke psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë.
Doktoresha Elona në një intervistë për bebja.com thotë se prindërit duhet të bisedojnë me fëmijët në lidhje me ndjesitë e tyre, në lidhje me rifillimin e shkollës. Apelon që të kujdesen për ndjenjat e fëmijëve dhe tu japin atyre mundësi të flasin për problemet që i shqetësojnë.
Intervista e plotë:
1. Pse disa fëmijë e kanë më të vështirë rikthimin në shkollë?
Tranzicioni I kalimit nga pushimet në shkollë mund të jetë I vështirë si për fëmijët dhe për prindërit në shumë raste. Fillimi I shkollës konsiderohet gjithmonë si një periudhë emocionuese, por këto emocione jo gjithmonë janë pozitive.
Fëmijët që kanë pasur vështirësi në shkollë, veçanërisht ata me probleme të të mësuarit, probleme emocionale apo sociale shpesh ndihen më shumë të shqetësuar sesa të emocionuar për t’u kthyer në shkollë. Këta fëmijë, e presin fillimin e shkollës me tension, shpesh mund të kemi ndryshime në sjellje, shmangie të bisedave rreth shkollës, të qara të përsëritura apo dhe ndryshime në sjellje të lidhura me gjumin dhe ushqyerjen.
2.Si ta kuptojnë prindërit që fëmija e ka të vështirë të rikthehet në shkollë? Si mund ta inkurajojnë? Sepse prindërit thonë “do të mësohet si të gjithë fëmijët e tjerë”.
Bisedoni me fëmijën tuaj në lidhje me ndjesitë e tyre në lidhje me rifillimin e shkollës, kujdesuni për ndjenjat e fëmijëve dhe u jepni atyre mundësi të flasin për atë që I shqetëson. Bërja e pyetjeve të hapura dhe jo gjykuese, mund ti ndihmojë fëmijët të ndajnë shqetësimet e tyre.
Është e vërtetë, që shpesh shumë prindër shprehen “do të mësohet sit ë gjithë fëmijët”, por përjetimet emocionale dhe vështirësitë që fëmijët hasin nuk janë njësoj për të gjithë fëmijët. Prindërit duhet t’i marrin seriozisht shqetësimet e fëmijëve të tyre dhe kujtoni që çështjet që ju mund t’ju duken marrëzi për fëmijën mund të jenë shumë serioze, dhe të jenë një burim serioz stresi.
3. A përjetojnë stres dhe ankth në këto situata?
Patjetër, për shumë fëmijë rikthimi në shkollë gjeneron stres dhe ankth të vazhduar. Ankthi, mund të jetë konsumues për fëmijën, duke bllokuar çdo kujtim pozitiv, dhe duke hedhur një re të errët dhe frikë për vitin e ri akademikë.
4. Si duhet të veprojnë mësuesit me fëmijët që e kanë të vështirë rikthimin në shkollë?
Mësuesit janë një komponent shumë I rëndësishëm në reduktimin e stresit te fëmijët. Realizimi i bisedave të hapura në klasë në lidhje me ndjesitë që ka çdo fëmijë për rifillimin e shkollës, qofshin këto ndjesi pozitive apo negative i ndihmon fëmijët të flasin mbi frikërat e tyre. Një mënyrë e mirë do të ishte që mësuesi i pari të fliste mbi ndjesitë e tij për rifillimin e shkollës.
Kjo u jep fëmijëve një shembull dhe një nxitje të mirë për tu shprehur lirshëm. Bashkëpunimi prind-fëmijë-mësues është shumë i rëndësishëm.
5. Ndonjëherë disa prindër e kanë të vështirë, nuk janë të sigurtë për pyetjet që mund t’i bëjnë fëmijës për ta nxitur të flasë e të tregojë si ndihet? Si veprohet në këto raste?
Në shumë raste prindërit e kane të vështirë të kuptojnë situatë dhe nuk dinë si të sillen me fëmijën e tyre. Deklarata inkurajuese përgjithësuese si “çdo gjë do të shkoj mirë”, “mos e vrit mendjen”, “këtë vit do të jetë ndryshe” mund të mos jenë shumë efikase.
Në vend të kësaj provoni të bisedoni me fëmijën mbi gjëra më konkrete të lidhura me eksperiencën e tyre në shkollë. Ndihmojeni fëmijën të kujtojë disa nga emocionet pozitive të lidhura me shkollën si psh. aktivitetet shkollore që i pëlqejnë, mësuesit e preferuar, miqtë që I kanë munguar gjatë verës etj. Të gjitha këto mund ta ndihmojnë fëmijën në luftimin e mendimeve negative dhe stresit.
6. A mund të tregoni një përvojë lidhur me fëmijët që e kanë të vështirë rikthimin në shkollë?
Eksperiencat e fëmijëve që e presin rifillimin e shkollës me stres janë të ndryshme. Kështu psh. ka pasur fëmijë që kanë ankuar për një kohë të gjatë për ankesa fizike si psh. dhimbje barku çdo mëngjes para shkollës me qëllimin e vetëm për mos të shkuar në shkollë. Ndaj është e rëndësishme që prindi të jetë i kujdesshëm dhe në të tilla raste kur ankesat fizike bëhen të shpeshta, ndërkohë që ekzaminimet klinike rezultojnë në normë.
7. Në fund të kësaj interviste, çfarë mesazhi keni?
Ndonjëherë fëmijët, thjesht nuk duan të flasin dhe pavarësisht dëshirës për t’i mbështetur ndonjëherë presioni i tepërt ndikon negativisht.
Qëllimi, duhet të jetë t’i tregoni fëmijës tuaj se jeni të vetëdijshëm, se kjo mund të jetë një periudhë stresuese, dhe ju jeni aty në momentin që do të ketë nevojë për ju. Dëshira, për ti kontrolluar edhe kur fëmija nuk përgjigjet, nuk është e mirë dhe më së shumti është e lidhur me ankthin e prindit sesa nevojat e fëmijës. Në këtë pikë është e rëndësishme mos të transmetoni ankthin tuaj prindërorë te fëmija.
Nëse, fëmija nuk është gati për të folur, mos ushtroni presion. E rëndësishme është ti tregoni fëmijës se ju jeni gati ta dëgjoni në momentin që ai është gati të bisedoj me ju.
Bebja.com