Një ndër problemet më shqetësuese për fëmijët e sotëm është e folura me vonesë. Logopedia Igresa Duka e cila ka dymbëdhjetë vite eksperiencë në këtë fushë shpjegoi për Bebja.com se prindërit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos neglizhojnë, në momentin e parë që vërejnë një problem duhet të çojnë fëmijën tek logopedi.
Igresa tregoi dhe për pengesat që mund të sjellë tek fëmija përdorimi i celularit apo qëndrimi i gjatë para ekranit të televizorit, dhe koha që duhet t’u kushtojnë.
Intervista e plotë:
Pse disa fëmijë flasin vonë?
Ndodh që disa fëmijë flasin vonë, quhen “folës të vonë” por kjo jo gjithmonë është një problem. Pasi edhe pse fëmija nuk flet, ndodh që fëmija ka kontakt shumë të mirë me sy, ka vëmendjen e përbashkët të zhvilluar tregon me gisht, ka ndërveprim dhe përdor gjestet! Gjithashtu fëmija bën imitime motore , imitime verbale dhe realizon lojën funksionale, simbolime dhe imagjinare! Zbaton komanda dhe i njeh objektet! Në këtë rast i foluri do të vijë me kohen!
Në raste të tjera kur fëmija nuk i zotëron këto aftësi, në 8 muaj nuk ka një repertor vokalizmash, në 12 -18 muaj nuk thotë fjalët e para, në 24 muaj nuk ka të paktën 50 fjalë , dhe në 36 muaj të ketë deri në 1000 fjalë e të flasë me fraza apo fjali atëherë vonesa e të folurit mund të vije nga shkaktarë të ndryshëm.
Apo edhe si pasoje e ndonjë sindrome si autizmi, vonesa Zhvillimore, vonesa gjuhësore etj…
Prindërit, në cilën moshë duhet të sjellin fëmijën tek logopedi?
Prindërit rrallë here paraqiten tek logopedi në momentin e duhur pasi shpesh presin që fëmija të fillojë të flasë, apo ndikohen nga familjarët të cilët bëjnë krahasime se si një familjar ka filluar të flasë vonë.
Apo kur prindi e shikon se diçka nuk shkon ndodh që e ka të vështirë ta pranojë.
Mosha në të cilën duhet të vijnë tek logopedi duhet që në momentin që konstatojnë se diçka nuk shkon.
Vizita tek logopedi duhet të bëhet e zakonshme, siç shkojnë e bëjnë kontrollet rutinë tek pediatri!
Kemi të bëjmë me raste të shtuara, çfarë e shkakton këtë problem, të folurën me vonesë?
Shkaktarët janë të shumtë dhe të ndryshëm, si ulja e dëgjimit , ambienti i varfër e pa stimuj ku rritet fëmija , mjetet teknologjike që ekspozohet fëmija dhe çrregullime të ndryshme neurozhvillimore ku mund të përmend ÇSA!
Gjatë një dite, sa kohë duhet të kalojnë prindërit me fëmijët? (Kohë produkteve, pa celular dhe televizor)? Celulari dhe televizori çfarë ndikimi kanë tek e folura e fëmijës?
Koha produktive me fëmijën quhet kur prindi del shëtitje me fëmijën, luan me fëmijën, i lexon një libër etj.
Mjetet teknologjike si televizori dhe celulari e pengojnë zhvillimin e fëmijës , duke shkaktuar vonesa të foluri, gjuhësore, vonesa në zhvillim e deri tek Autizmi Virtual! Televizori dhe celulari nuk ndërvepron me fëmijën!
Ndonjëherë prindërit e kanë të vështirë të përcaktojnë çfarë e bënë një fëmijë të lumtur, thjesht shikojë çfarë I pëlqen më shumë fëmijës dhe ato gjëra bëjnë. Çfarë sugjerimi keni?
Fëmijët i lumturojnë gjëra të ndryshme, kjo varet se si prindi e ka mësuar fëmijën në vegjëli ! Por ne nuk duhet ti mësojmë fëmijët tanë të lumturohen me gjëra materiale , por duhet ti mësojmë të lumturohen me kohën që ne kemi në disponim të tyre, me prezencën dhe vëmendjen tonë!
Sugjerimi im është që ne duhet ti bëjmë fëmijët të ndjejnë lumturi nga prania e prindit, koha e kaluar së bashku dhe jo nga gjerat materiale e të shtrenjta!
Sa herë duhet t’ia përsërisin një fjalë prindërit fëmijës që ta memorizojë? A është problem kur I flasim fëmijës me fjalë të shkurtra? Me përkëdheli? Psh. Xemla, pia (shtëpia). A ka efekt negativ tek fëmija?
Fëmijët mësojnë nga përsëritja dhe duke ja përsëritur shpesh një fjalë në kontekst të duhur fëmija do ta imitojë dhe do ta thotë! Por nuk duhet ta teprojmë me përsëritjen, pasi e mbistimulojmë fëmijën dhe kjo ka ndikim negativ.
Nuk duhet të përdorim të folurën me përkedhelizma pasi siç na dëgjon fëmija në atë mënyrë do ti thotë fjalët. Duhet të përdorim gjuhë të pastër dhe letrare që fëmija të na imitoj e të flasë qartë.
Ka një teori mes prindërve se djemtë flasin më vonë se vajzat, kemi të bëjmë me një fakt shkencor apo një mit?
Nga statistikat vërehet se djemtë flasin më vonë se vajzat ! Por kjo nuk do të thotë se nëse në 24 muaj një djalë nuk thotë minimumi 50 fjalë ne nuk duhemi të shqetësohemi.
Igresa qasja jote më e mirë po them dhe rezultati I shumë përvojave me fëmijët që vijnë për herë të parë tek ty, është dhe kureshtje personale se si mund të afrohesh me një fëmijë që vjen për herë të parë dhe nuk ka filluar të flasë mirë?
Nga 12 vite eksperiencë , kur fëmijët më kanë ardhur për herë të pare në studio, unë kam filluar t’u demonstroj një lojë, nisur edhe nga informacionet që kam marr nga prindërit se çfarë i pëlqen fëmijës. Duke filluar të luaj e të komentoj lojën vetëm, fëmija me ka vëzhguar dhe është afruar. Pra jo me imponim por duke e ftuar të afrohet e të luajmë!
Igresa sa e vështirë është që prindërit ta bëjnë vetë punën, për fëmijët që kanë vonesa në komunikim? Psh. Nëse fëmija është mbi 2 vjeç e gjysmë? Kur është momenti që duhet të konsultohen me një profesionist të fushës?
Prindërit e kanë të vështirë pasi fëmija nuk i bindet 100% dhe pse mund të jetë i informuar shumë mire se si të punojë me të.
Nëse fëmija 2,5 vjeç nuk ka filluar të fjalorë nga 50-200,300 fjalë dhe nuk ka fraza dyshe që i përdor në kontekst duhet bërë një konsultë me specialistin.
Bebja.com