Për disa arsye ju mund të detyroheni ta lini fëmijën tuaj pre-adoleshent vetëm në shtëpi. Por a duhet ta bëni në të vërtetë?
Ja çfarë duhet të merrni në konsideratë:
• Sa i përgjegjshëm është fëmija juaj?
• A do të ndihet rehat ai nëse do të qëndrojë vetëm në shtëpi?
• Do të ketë edhe fëmijë të tjerë apo përgjegjësi të tjera të cilat duhet të menaxhojë ky fëmijë gjatë kësaj kohe?
• Sa i njeh fqinjët?
• Sa larg do të shkoni dhe për sa kohë?
Nëse do të vendosni që fëmija juaj të qëndrojë në shtëpi vetëm, duhet të siguroheni që:
• Të ketë të gjithë numrat e telefonit që mund t’i nevojiten në çdo moment;
• Sigurohuni që ai të ketë aftësinë dhe edukatën t’i përgjigjet në çdo moment telefonatave tuaja;
• T’i lini të shkruajtur diku edhe numrin e telefonit të dikujt që ju i besoni shumë dhe që mund të shkojë tek fëmija në çdo moment që ai do të ketë nevojë;
• T’i shpjegoni fëmijës se nuk duhet ta hapë derën e shtëpisë për këdo që mund të trokasë;
• T’i lini udhëzimet e duhura për mënyrën si duhet të veprojë në çdo situatë emergjence, nëse bie zjarr etj. Gjithashtu ai duhet të dijë edhe të gjitha burimet e rrezikut;
• I caktoni rregulla të qarta dhe të prera në lidhje me ato që mund të bëjë dhe nuk mund të bëjë ndërsa ju nuk jeni në shtëpi;
• E siguroni se ju do të ktheheni shumë shpejt.
Mbi të gjitha i besoni instiktit tuaj dhe nëse mendoni se fëmija juaj nuk është në gjendje të qëndrojë vetëm në shtëpi mos e lejoni edhe nëse ai shprehet me bindje për të kundërtën.
Mos e nënvlerësoni asnjë ndjenjë pasigurie që mund të keni në këtë drejtim.
Fillimisht mund të provoni ta lini për pak minuta vetëm dhe më pas të shkoni në shtëpi (jo ditën kur duhet të largoheni për një kohë më të gjatë) dhe të shikoni veprimet e fëmijës tuaj.