Fëmijët janë shumë të stresuar nga pandemia – madje do të ishte gati e çuditshme që të mos ishin! Por disa sjellje mund të jenë sinjal që mbështetja shtesë është e nevojshme.
Pandemia ka qenë stresuese për të gjithë, përfshirë fëmijët. Ndërkohë që fëmijët njihen për qëndrueshmërinë dhe aftësinë e tyre për t’u përshtatur – veçanërisht në një shtëpi të ngrohtë, të rrethuar nga dashuria dhe përkujdesi i familjarëve – është tërësisht e pranueshme (dhe e pritshme) që fëmijët të shfaqin disa shenja të stresit. Në të vërtetë do të ishte gati e çuditshme që ata të mos shfaqnin shenja stresi.
Nëse këto shenja të stresi janë duke u zhvilluar në një mënyrë që është veçanërisht e dukshme ose e dëmshme për funksionimin normal të fëmijës, atëherë ndoshta do të ishte e udhës që fëmijën ta çonit për vizitë te një profesionist i shëndetit mendor.
Si mund të ndajmë nëse kemi të bëjmë me një sjellje përshtatëse normale të fëmijës apo me diçka tjetër më të rëndësishme. Më poshtë po paraqesim një listë të sjelljeve që duhet të keni parasysh pasi mund të tregojnë se fëmija juaj mund të përfitojë nga një vlerësim me një mjek psikiatër.
1. Humori i fëmijës suaj është shumë i paqëndrueshëm, nervozohet më shpesh, përfshirë edhe shpërthimet e inatit që janë më të shpeshta
Të gjithë fëmijët kanë shpërthime inati, por kur këto shpërthime bëhen tepër të fuqishme, ndoshta mund të jetë koha për të kërkuar ndihmë te një profesionist. Shpërthimet e inatit, tepër të fuqishme përfshijnë ato, në sajë të të cilave fëmija kërkon qëllimisht që të lëndojë të tjerët ose veten dhe që zgjasin më tepër se 20-30 minuta ose shpërthimet e inatit që ndodhin disa herë gjatë ditës, çdo ditë. Çdo fëmijë ka një ditë, në të cilën thjesht “nuk ia del dot më”, por nëse fëmija yt i ka “këto ditë” çdo ditë, atëherë mund të jetë koha për të kërkuar ndihmë.
2. Fëmija juaj flet shpesh rreth ankthit që ai ndjen
Kur fëmijët janë të aftë që të na tregojnë rreth frikërave të tyre, kjo është një shenjë shumë e mirë! Kjo do të thotë që ata mund të dallojnë se çfarë i mërzit dhe dinë si të kërkojnë ndihmë. Por, nëse këto biseda ndodh që bëhen të shpeshta, mund të jetë një shenjë që fëmija juaj ka më tepër frikë dhe ankth se zakonisht. Nëse ata kanë vështirësi që të kryejnë detyrat e përditshme (gjumin, të dalin jashtë shtëpisë, të jenë pranë njerëzve të tjerë) për shkak të shqetësimeve të tyre, atëherë kjo është një shenjë që ata mund të përfitojnë nga një ndihmë shtesë nga një profesionist.
3. Fëmija juaj shpesh ankon për dhimbje koke ose dhimbje stomaku
Ankthi shpesh shfaqet me shenja fizike – të gjithë ne kemi përjetuar dhimbje tensive të kokës ose kemi ndjerë si boshllëk në stomak. Fëmijët shpesh nuk zotërojnë mënyrën e duhur për të biseduar rreth ndjesive të tyre, por ata mund të të tregojnë që iu dhemb barku. Nëse fëmija juaj ankon vazhdimisht për simptoma fizike, do të ishte mirë që ta vizitonit te pediatri për t’u siguruar që nuk ka ndonjë problem shëndetësor. Nëse simptomat vazhdojnë edhe pas vizitës te pediatri, atëherë bëhet e qartë që mund të jetë pasojë e ankthit ose e problemeve të tjera emocionale që do duhet të vlerësohen.
4. Fëmija juaj është tepër aktiv dhe ka vështirësi që të qëndrojë në qetësi, qoftë edhe për pak minuta (pa patur para televizorin ose celularin)
Shumë fëmijë janë aktivë dhe kjo mund të jetë një gjë e mirë! Fëmijët aktivë janë shpesh fëmijë të shëndetshëm. Megjithatë, nëse fëmija juaj e ka të pamundur që të ndalojë, kur i duhet që të ndalojë, atëherë kjo mund të jetë një shenjë se diçka po ndodh me të. Fëmijët duhet të jenë të aftë që t’i kushtojnë vëmendje diçkaje për një periudhë kohe – pesë minuta për fëmijët në parashkollor dhe 15 minuta për fëmijët më të mëdhenj – përpara se ata të ndihen në ankth. Nëse ata kanë vështirësi që të qëndrojnë ulur, të presin ose të dëgjojnë, atëherë do të ishte e vlefshme që të bënit një konsultë me një profesionist të shëndetit mendor.
5. Regjimi i gjumit të fëmijës suaj prishet papritur
Gjumi është një matës shumë i mirë për të parë se çfarë është duke ndodhur me një fëmijë; fëmijët me arkitekturë gjumi të parregullt shpesh janë duke patur vështirësi me diçka tjetër. Depresioni mund të shfaqet me të fjeturit shumë më tepër seç duhet ose me pamundësi për të fjetur. Ankthi mund të shfaqet në formën e maktheve të natës ose me vështirësi për ta zënë gjumi. Edhe shumë diagnoza të tjera të fëmijërisë kanë ndikim mbi gjumin. Për më tepër, pa një gjumë të mirë, është e vështirë për vogëlushët që të përballojnë streset e ditës. Ndaj, edhe nëse problemet me gjumin nuk janë shkaktuar nga ndonjë faktor tjetër, ju mund të shikoni që problemet me sjelljen vijnë si pasojë e mungesës së një gjumi të mirë. Nëse fëmija juaj përjeton vështirësi me gjumin për disa netë rresht, atëherë do të ishte e udhës që të kërkoni ndihmë profesionale.
6. Fëmija juaj ka vështirësi që të krijojë marrëdhënie me bashkëmoshatarët
Fëmijët janë të gjithë të ndryshëm – disa janë shumë të shoqërueshëm dhe disa të tjerë disi më të turpshëm. Ndonëse ndryshimet në karaktere janë normale, nëse fëmija juaj ka vështirësi të theksuara me bashkëmoshatarët e tij, atëherë kjo mund të jetë shenjë se ka diçka më tepër. Nëse fëmija juaj ka vështirësi me ndjekjen e rregullave, të luajë lojëra që përshtaten me moshën e tij, të krijojë shoqëri ose bisedojë me bashkëmoshatarët, atëherë duhet të mendoni se diçka tjetër po ndodh me të. Fëmijët me të tilla vështirësi zakonisht kanë përjetuar prej një kohe të gjatë vështirësi me shoqërimin, ndaj mos u trembni nëse kjo është diçka vetëm e kohëve të fundit. Por, nëse ata gjithmonë kanë patur vështirësi me shokët, ose papritmas humbasin interesin për shokët për disa javë, merrni parasysh që të bëni një vlerësim te një profesionist i shëndetit mendor.
7. Fëmija juaj ka vështirësi në shkollë
Zakonisht fëmijët me probleme në sjellje ose në të mësuar shfaqin vështirësi në shkollë. Nëse fëmijës suaj i është dashur gjithmonë që të punojë më shumë se fëmijët e tjerë, mund të jetë një shenjë se ka diçka që po e pengon atë në të mësuar. Për më tepër, nëse fëmija juaj papritur fillon që të ketë vështirësi, kjo do të thotë që diçka e re është duke e penguar atë në shkollë. Këto ndryshime mund të nënkuptojnë që ka probleme me shokët, më një problem të ri emocional ose thjesht programi i shkollës është tepër i vështirë për të. Kini në mëndje që semestri i fundit i vitit të shkuar shkollor u krye online, ndaj dhe vështirësitë mund të lidhen edhe me këtë ndryshim. E vetmja mënyrë për të qenë i sigurt është që të bëni një vlerësim te një profesionist i shëndetit mendor.
8. Fëmija juaj është i shqetësuar se diçka e keqe do të ndodhi nëse ata nuk kryejnë një veprim të caktuar, ose nëse nuk përsërisin një veprim disa herë
Nëse vini re që fëmija juaj kryen të njëjtën gjë vazhdimisht, pëlqen që të përsëris gjërat, ose i duhet që të sigurohet disa herë që i ka bërë gjërat siç duhet, atëherë kini parasysh që të bëni një vlerësim të tij. Këto sjellje zakonisht ndodhin kur fëmija është tepër ankthioz dhe do që të krijojë një ndjenjë sigurie për veten. Të luajturit të të njëjtës lojë ose të lexuarit të së njëjtës histori janë gjëra të zakonshme te fëmijët, por nëse fëmija juaj mërzitet nëse ju e ndryshoni sadopak lojën ose i lexoni një histori të re, atëherë këto janë shenja alarmi. Të gjithë fëmijët e pëlqejnë përsëritjen, por nëse e gjeni veten duke u përpjekur tej mase që t’i mbani gjërat saktësisht siç ishin për të shmangur një shpërthim në të qara ose inati, atëherë është koha që të kërkoni ndihmë.
Nëse fëmija juaj po shfaq një prej shenjave të mësipërme, mbani mend se kjo nuk do të thotë domosdoshmërish që ai ka një çrregullim psikologjik ose të sjelljes, ato thjesht mund të shërbejnë si shenja për të kuptuar zhvillimin e fëmijës. Mënyra më e mirë për ta zbuluar, nëse fëmija është duke patur një zhvillim normal ose jo, është që të kërkoni një vlerësim te një profesionist i shëndetit mendor dhe të lini atë që të përcaktojë nëse gjëndja e fëmijës suaj është kalimtare apo diçka më e rëndësishme.