Janë të shumta përfitimet që lidhen me të caktuarit e detyrave për fëmijët. Ata mësohen me përgjegjësi dhe aftësohen në drejtime të ndryshme. Pjesa më e vështirë është si t’i bindim fëmijët që t’i zbatojnë këto detyra. Sipas ekspertëve të Akademisë Amerikane të Pediatrisë me rëndësi është të përqendroheni në atë çfarë fiton fëmija nga detyra që i caktoni. Në fakt nuk është mirë as t`i quajmë detyra, mjafton t`i bëjmë të kuptojmë se në një familje të gjithë e ndihmojnë njëri-tjetrin.
Duke u caktuar fëmijëve detyra i ndihmoni të praktikojnë aftësitë që sipas ekspertëve, janë thelbësore për të qenë të organizuar, të pavarur e të qëndrueshëm. Në këtë mënyrë ata kuptojnë hapat që nevojiten për të përfunduar një detyrë, për t’i dhënë kohën dhe vendin e nevojshëm çdo gjëje dhe planifikimin e reagimin e shpejtë në zgjidhjen e problemeve të papritura.
Një tjetër koncept qe duhet të përpiqemi t’u mësojmë fëmijëve është se në jete ka gjëra që duhen
bërë dhe gjëra që dëshirojmë t`i bëjmë. Për më tepër fëmijët e vegjël duhet të mësojnë si të t`i ndajnë detyrat e tyre në disa pjesë për të arritur t`i përfundojnë ato. Punët e shtëpisë janë mënyra më e mirë për të mësuar këtë gjë.
Sigurisht që duhet të praktikojmë gjëra të ndryshme në përputhje me moshën e fëmijëve. Punët e shtëpisë që mund të bëj një adoleshent nuk mund të jenë të njëjta më ato që mund të bëj një fëmijë i vogël.
Për fëmijët e vegjël duhet të përpiqemi t`ju mësojmë rregullin dhe ndarjen e detyrave në pjesë. Në fakt, kur fëmijët janë të vegjël është me e thjeshtë që t`i bëjmë punët vetë, por nuk duhet të harrojmë që qëllimi ynë është t`ju mësojmë atyre aftësi të reja. Fëmijëve të vegjël dhe atyre që janë duke u përgatitur për të shkuar në shkollë mund t`u mësohet se çdo detyrë ka një fillim, një vazhdim dhe një fund. Psh. E nxjerrim lodrën nga kutia, luajmë me lodrën dhe e vendosim lodrën sërish në vendin e duhur.
Larja e një pjate pas darkës, hapja e rrobave të lara apo rregullimi i vendit ku luajnë janë disa punë të përshtatshme për të vënë në punë muskujt e tyre. Gjithashtu, fëmijët e kësaj moshe kanë shumë dëshirë të pastrojnë, ndaj përfitoni nga kjo gjë dhe lërini t`ju ndihmojnë.
Kur fëmijët mbushin 6 dhe 7 vjeç mund të filloni ti mëshoni më tepër rëndësisë që ka ndihma në familje, mund ta konkretizoni këtë lloj përgjegjësie duke u ngarkuar atyre si detyrë ushqyerjen e kafshës shtëpiake. Mund t’i përfshini për të mbushur ose boshatisur lavastoviljen nga enët apo edhe për të shtruar tryezën.
Më pas, kur të jenë 8 ose 9 vjeç ata mund të jenë edhe më të përgjegjshëm për veten e tyre. Fëmijët në këtë moshë tashmë fillojnë të përfshihen në aktivitete të komunitetit, kështu që është periudhë e mirë që ata të mësojnë të menaxhojnë përgjegjësitë e tyre. Mund t’i ndihmoni të përgatisin veshjet e ndeshjeve të futbollit ose çantat e baletit. Mësojini të mbajnë të sistemuara mjetet shkollore. Punoni me ta për t’i mësuar dhe krijuar një sistem ku çdo gjë ka vendin e vet. Sa më shumë kujdeseni që ata ë kryejnë punët e tyre, aq më shumë do të shmangni pyetjen: Maaa, ku është …..?
Në këtë moshë fëmijët mund t’i angazhoni edhe në përgatitjen e një vakti sepse edhe përgatitja e ushqimit kërkon një rend të caktuar të bërjes së veprimeve. Shumë fëmijë 8 vjeç janë të aftë të përgatisin mëngjesin e tyre dhe të paketojnë drekën për në shkollë. Është ide e mirë përfshirja e fëmijëve me qëllim që ata ta bëjnë zakon përgatitjen e ushqimit.
Në moshën 10 ose 11 vjeçare ata janë të gatshëm të kryejnë detyra edhe më të mëdha. Një mënyrë e mirë se si të ndihmoni fëmijët të bëhen më të pavarur është përdorimi i një tabele ku të shënoni punët e përditshme. Kjo tabelë do ti ndihmonte të kujtonin detyrat si dhe të organizojnë kohën në bërjen e tyre. Fëmijët në këtë moshë fillojnë të bezdisen nga mbikëqyrja e vazhdueshme e prindërve kështu që duke përdorur këtë tabelë, nuk do të duhet t`ju kujtoni vazhdimisht për punët që duhet të bëjnë.
Fëmijët e moshës 11 dhe 12 vjeçare mund të fillojnë përcaktimin dhe respektimin e afateve kohore për detyra të caktuara. Ndihmojini ata të kuptojnë se është e rëndësishme që punë të caktuara të kryhen në momentin e duhur, si për shembull boshatisja e lavastoviljes në mënyrë që ajo të mund të përdoret përsëri më pas ose nxjerrja jashtë e mbeturinave në mbrëmje që të mund t’i merrni të nesërmen në mëngjes. Kjo do t’i ndihmonte me menaxhimin e kohës duke qenë se janë më të rritur dhe shumë shpejtë do të kalojnë në shkollë të mesme. Mund t’u jepni detyra të tilla si; punë të ndryshme në oborr, futja e rrobave për të larë, hedhja e mbeturinave, pastrimi me fshesë me korrent.
Mosha e adoleshencës është më delikate. Adoleshentët nuk është se nuk duan të jenë të përfshirë në punët dhe organizimin e mbarëvajtjes së shtëpisë, mjafton që ata të jenë të motivuar. Problemi është si t’i motivojmë pasi kohët ndryshojnë dhe çelësi i motivimit për individë është i ndryshëm. Kjo periudhë është ideale për t’u mësuar atyre rëndësinë e prioriteteve, gjërat që duhen bërë janë në plan të parë dhe gjërat që dëshirojnë të bëjnë kalojnë në plan të dytë. Pra, mbarojmë detyrat e shtëpisë dhe më pas kalojmë kohë para ekranit.
Kështu që kur fëmijët të jenë rritur dhe të përgatiten për të jetuar më vete ju do të jeni të qetë duke ditur që ata janë gati dhe të aftë për të përballuar jetesën më vete, që nga përgatitja e vakteve, larja e rrobave, hekurosja, qepja i një kopse që mungon në këmishën e punës, pastrimi i shtëpisë, kujdesi vetjak, mirëmbajtja e automjetit etj. Me rëndësi është të kuptojmë se duhet t’i jepet punë një adoleshenti kur ai ka kohë të merret me të. Në rastet kur ata janë të zënë me studime dhe njëkohësisht përfshihen në klube sportive apo kur punojnë me kohë të pjesshme ndërkohë që ndjekin studimet, pra janë duke u përfshirë në aktivitete të dobishme ata janë duke u përmirësuar vetë në një tjetër formë.
Prindërit me të drejtë nervozohen kur shikojnë fëmijët të harxhojnë kohën kot sepse ata mund të jenë vërtet të dobishëm në familje. Fëmijët dhe adoleshentët në zhvillim e sipër janë egocentik, nuk e kuptojnë qasjen e prindërve në lidhje me shumë gjëra. Ndaj në vend që të nervozoheni, mendoni për një mënyrë tjetër për t`ju mësuar mësimin. Nëse bëhet fjalë për detyra të caktuara që i jepen një fëmije i cili është ende i vogël, lind nevoja e ndarjes së punëve në hapa të vogla. Nëse keni një problem me një adoleshent duhet të flisni me të për të kuptuar se çfarë nuk po shkon dhe të lejoni që ata të merren me zgjidhjen e problemit. Në këtë mënyrë do t’i aftësoni për të zgjidhur shumë çështje të tjera në të ardhmen.