Sipas një studimi gratë shtatzëna që punojnë më shumë se 32 orë në javë në punë stresuese do të rrezikojnë shëndetin e fëmijës që kanë në barkun e tyre.
Këta fëmijë do të kenë një peshë trupore më të vogël në lindje, njësoj si edhe nënat që konsumojnë duhan.
Këto rezultate të studimit tregojnë se efektet e stresit në zhvillimin e fëmijës janë të mëdha dhe sipas të dhënave që na sjell “tegegraph.co.uk” gratë shtatzana nuk duhet të punojnë më shumë se 24 orë në javë.
Studimi përfshiu 7000 gra dhe u krye nga “Amsterdam born children group“ dhe sipas tyre nënat që kanë qënë të stresuara gjatë shtatzanisë do të sillnin në jetë fëmijë që do të qanin më tepër pas lindjes.
Gjithashtu nënat që punonin tepër do të kishin një rrezik më të madh për të zhvilluar pre-eklampsinë, një komplikacion tepër serioz i cili ndikon edhe në fluksin e gjakut që shkon tek bebi. Studiuesit theksojnë se punëdhënësit duhet të tregohen më tepër fleksibël dhe të reduktojnë kohën e punës në varësi të nevojës së gruas.
Stresi shkakton prodhimin e hormonit kortizol i cili bën të mundur ngadalësimin e rritjes dhe zhvillimit të fëmijës. Për këtë arsye gruaja duhet të përpiqet të reduktojë burimin e stresit, ndër të cilët mund të jetë aktiviteti në punë, kohëzgjatja e saj, etj.
Gjithsesi stresi është tepër subjektiv. Edhe pse këshillohet që gratë të mos punojnë më tepër se 24 orë në javë, disa prej tyre mund të ndihen më tepër të stresuara nëse nuk punojnë si zakonisht.
Në disa raste shtatzania nuk konsiderohet nga punëdhënësit si një kusht për të lejuar gruan të punojë më pak dhe kjo e rrezikon shëndetin e fëmijës.
Pesha e vogël e bebes shpesh lidhet me probleme të frymëmarrjes tek bebet. Edhe qëndrimi i gjatë në këmbë ndikon në peshën e vogël të bebes.
Është e rëndësishme të përmirësohen kushtet e punës, të evitohen turnet e natës, zhurmat, punët në ambiente me substanca të rrezikshme.