Është e mundur ta mësojmë fëmijën të flasë? Është e folura vërtet një aftësi që mësohet nëpërmjet edukimit dhe mënyrës si stimulohet fëmija? Ja çfarë thotë në lidhje me këtë doktoresha Marianna Luccio.
Çdo prind, pothuajse që në muajt e parë të jetës, pret me padurim fjalën e parë të fëmijës, por momenti kur ai fillon të flasë nuk është i njëjtë për të gjithë, kjo pasi jo të gjithë fëmijët arrijnë të kenë të njëjtin zhvillim në të njëjtën moshë.
Mbani mend se çdo fëmijë është i ndryshëm dhe i tillë do të jetë edhe zhvillimi i tij.
Ekzistojnë vërtet teknika të cilat mund të përdoren për të ndihmuar fëmijën të mësojë të flasë?
Prindërit luajnë një rol shumë të rëndësishëm në mësimin e të folurit të fëmijës. Ata duhet t’i flasin fëmijëve sa më shumë edhe gjatë muajve të parë të jetës, pavarësisht se fëmija nuk do të jetë në gjendje t’ju kthejë përgjigje.
Ja cilat janë 10 strategjitë që mund të përdorni
1. Përdorni veprimet e përditshme
Ushtrimi i parë që mund të bëni për të stimuluar fëmijën është t’i flisni sa më shumë, dhe për këtë mund t’ju vijnë në ndihmë edhe veprimtaritë e përditshme.
Për shembull mund t’i flisni fëmijës ndërsa i bëni banjo, ndërsa e ndërroni, ndërsa e ushqeni etj.
Gjithashtu mund të përdorni edhe objekte të caktuara duke i treguar edhe me gisht. Është shumë e rëndësishme të siguroheni që ndërsa jeni duke i folur në lidhje me diçka, apo jeni duke i treguar një objekt fëmija t’ju shikojë në fytyrë.
2. I përshkruani ato që e rrethojnë
I përshkruani atij atë veprim që jeni duke bërë apo atë veprim që është duke bërë ai. Kjo do të jetë një mënyrë e mirë për ta bërë atë të jetë më i përqendruar në lidhje me atë që jeni duke i thënë.
3. Evitoni shkurtimet e fjalëve
Shpesh prindërve ju pëlqen të flasin me gjuhën që zakonisht flasin fëmijët e vegjël. Ju duhet të keni parasysh se pas vitit të parë të jetës duhet të përdorni një gjuhë shumë të rregullt me fëmijën tuaj, duke evituar shkurtimet apo ndryshimet e fjalëve.
Ajo që duhet të mbani gjithmonë në mendje është se të folurit me një zë fëmijënor është diçka tjetër, dhe të mësuarit e fjalëve në mënyrë jo korrekte është diçka tjetër.
4. Riformuloni atë çfarë ai është duke u përpjekur t’ju thotë
Për të stimuluar të folurin e fëmijës është shumë e rëndësishme t’i vendosni emër objekteve që ai tregon ose shikon. Ju mund ta përdorni emrin e atij objekti edhe të vendosur nëpër shprehje të ndryshme.
Gjatë shqiptimit të fjalëve mund të përdorni edhe një ton zëri të caktuar, si edhe një mimikë fytyre e cila mund ta ndihmojë edhe më shumë fëmijën, i cili duhet të mësojë kuptimin e fjalëve edhe nëpërmjet tonit që ju jeni duke përdorur.
5. I bëni shpesh pyetje
Ju mund të stimuloni të folurin fëmijës edhe duke i bërë pyetje të thjeshta dhe të shkurtra si për shembull “Do një biskotë”? “Do të pëlqente të dilje me mamin”?
6. Respektoni radhën e tij në komunikim
E respektoni rradhën e tij në të folur edhe pse ai nuk është në gjendje t’ju kthejë përgjigje. Pasi i keni bërë një pyetje duhet të interpretoni tingujt që ai nxjerr me zë të lartë. Kjo do të ishte një mënyrë e mirë për t’i mësuar atij edhe aftësinë e të dëgjuarit të personit tjetër.
7. I tregoni libra me figura dhe ngjyra
Duke filluar që nga muaji 9-10 mund t’i tregoni fëmijës tuaj libra me figura dhe ngjyra të ndryshme, duke i folur më shumë rreth tyre dhe duke i treguar objektet apo kafshët që ndodhen në figurë.
8. I lexoni sa më shumë libra me përralla
Leximi është një mënyrë shumë e mirë për të stimuluar zhvillimin e të folurit të fëmijës duke filluar që nga muaji i 6-të i jetës. Disa studime kanë treguar se fëmijët të cilëve u është lexuar që në moshë të vogël kanë një aftësi më të mirë në të folur si edhe shfaqin më pak vështirësi në të mësuarit e leximit.
9. I këndoni këngë
Përsëritja e këngëve për fëmijë do të favorizonte zhvillimin e të folurit tek fëmija.
10. Frekuentimi i kopështit
Edhe të qëndruarit me fëmijë të tjerë do të ishte një faktor që do të ndikonte shumë pozitivisht në zhvillimin e të folurit tek fëmija, kjo pasi ai do ta ketë më të thjeshtë të kuptojë strukturën e të folurit.
Gjithashtu, kontakti me fëmijë të tjerë do t’i mësonte fëmijës disa rregulla shumë të mira në komunikim, si për shembull respektimi dhe dëgjimi i fjalës së bashkëbiseduesit.