Shpesh duket se objektivi i nënave që po përgatiten të sjellin në jetë fëmijën e tyre është të ndiejnë pak ose aspak dhimbje gjatë lindjes. Një zgjidhje për këtë “problem” është epidurali, por nënat në më të shumtën e rasteve janë në dilemë nëse duhet ta pranojnë apo jo.
Pyetjet dhe dilemat janë të shumta dhe kjo bëhet edhe më e vështirë për të vendosur. Sot kemi vendosur t’ju sjellim përgjigje për pyetjet më të shpeshta që gratë shtatëzëna kanë, në mënyrë që ta keni më të lehtë për të vendosur nëse do ta pranoni epiduralin apo jo.
1- Cili është ndryshimi midis epiduralit dhe spinales?
Janë dy tipologji anestezie që injektohen në zonën lombare të shpinës. Gjatë epiduralit injeksioni bëhet në hapësirën midis kanalit kockor të shtyllës kurrizore dhe membranës më të jashtme që mbulon palcën kurrizore. Efekti fillon pas rreth 15-20 minutave.
Në rastin e injektimit të anestezisë spinale injeksioni do të bëhet rreth palcës kurrizore, në lëngun që lag rrënjët e nervave (pra më në brendësi). Efekti fillon të ndihet pas 2-3 minutash.
Efekti që merret nga të dyja anestezitë është i njëjtë, por epidurali mundëson modifikimin e sasisë dhe kohëzgjatjes së analgjezikut në varësi të nevojës, gjë e cila mundësohet nga kateteri i vendosur tek nëna. Nëse aplikohet anestezia spinale nuk vendoset kateter, por aplikohet i gjithë analgjeziku i nevojshëm me anën e një injeksioni të vetëm.
Anestezia epidurale aplikohet kryesisht tek lindjet natyrale, ndërsa ajo spinale tek lindjet me operacion çezarian.
2- Si kryhet epidurali?
Gjatë injektimit të epiduralit gruaja duhet të qëndrojë ulur dhe e përkulur para, ose shtrirë në pozicion anësor. Fillimisht bëhet një anestezi lokale e vogël në zonën midis vertebrës lombare të tretë dhe të katërt (në fund të shpinës). Më pas këtu, me anën e një age, e cila më pas do të hiqet, vendoset një kateter nëpërmjet të cilit bëhet marrja e medikamenteve për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Kateteri fiksohet me anën e një ngjitësi në shpinën e gruas dhe hiqet në fund të lindjes.
Ai nuk provokon asnjë shqetësim si edhe nuk e pengon gruan gjatë qëndrimit në shtrat apo gjatë lëvizjes.
3- Në cilën fazë të lindjes mund të bëhet epidurali?
Zakonisht anestezia injektohet në momentin që gruaja fillon të hapet, pra në momentin që ajo fillon të ketë kontraksione të rregullta të cilat shfaqen çdo 10 minuta, dhe qafa e mitrës është zbutur. Në këtë fazë përdoret një dozë e ulët e analgjezikut.
4- Është e vërtetë që gruaja humb aftësinë për të qënë aktive gjatë lindjes?
Jo nuk është e vërtetë! Gruaja edhe pasi ka bërë epiduralen është në gjendje të ndiejë kontraksionet uterine, vetëm se në këtë rast nuk ndien ose ndien më pak dhimbje gjatë këtyre kontraksioneve. Ajo mund të ecë si edhe të marrë pozicionin që dëshiron gjatë gjithë procesit të lindjes.
5- Nëse aplikohet epidurali do të thotë që ndihet aspak dhimbje?
Jo dhimbja nuk zhduket plotësisht, por reduktohet ndjeshëm gjatë fazës së hapjes dhe reduktohet shumë pak gjatë momenteve të fundit. Kjo sepse në fazën e daljes dhimbja përçohet edhe në disa nerva të cilat kanë nevojë për sasi të mëdha anestezie për t’u bllokuar, gjë e cila mund të shkaktonte dobësim të muskujve të këmbëve dhe mbi të gjitha të atyre abdominale. Kjo do ta bënte gruan të paaftë të shtynte në mënyrën e duhur në momentin e daljes së fëmijës.
6- Është e vërtetë që nëse aplikohet epidurali procesi i lindjes zgjatet më shumë?
Koha e hapjes nuk pëson ndryshime, ndërsa kohëzgjatja e fazës së fundit (dalja e fëmijës) do të jetë mesatarisht pak më e gjatë. Kjo mendohet se ndodh për shkak të dhimbjeve mjaft të reduktuara që gruaja ndien, dhe për pasojë do të shtyjë më lehtë dhe më qetë. Megjithatë bëhet fjalë vetëm për disa shtyrje më shumë.
7- E rrit epidurali mundësinë e lindjes me thithje apo operacion?
Literature shkencore raporton një rritje të rrezikut të nxjerrjes së fëmijës me thithje, ndërsa nuk flet për ndonjë rezultat domethënës në lidhje me lindjen me operacion. Megjithatë duhet theksuar se kjo mënyrë lindje (quhet lindje operative) do të jetë e domosdoshme nëse gruaja ka marrë sasi të mëdha analgjeziku, gjë e cila ka dobësuar tepër muskujt.
8- Po nëse lindja është e provokuar?
Jo, përkundrazi, nëse për ndonjë arsye gruaja është detyruar të bëjë lindje të provokuar nga injektimi i oksitocinës, epidurali do t’i bëjë dhimbjet më të durueshme, të cilat janë më të mëdha në këtë rast krahasuar me lindjen që ndodh spontanisht.
9- Është e mundur që anestezia të mos bëjë efekt?
Megjithëse rrallë mund të ndodhë, kjo në disa situata të veçanta kur për shembull nëna vuan nga hernia e diskut, skolioza etj, të cilat bëjnë që anestezia të përhapet më mënyrë homogjene. Në këto raste nevojitet rritja e dozës ose lëvizja e kateterit (proçedurë jo e dhimbshme).
Ndonjëherë shkak bëhet edhe pozicioni i fëmijës i cili duke lëvizur kokën shkakton dhimbje edhe më të mëdha.
10- Ka efekte anësore?
Mund të lerë tek gruaja një dhimbje të veçantë koke, të bezdisshme por të padëmshme.
Në disa raste mund të ndiejë dridhje të vogla në shpinë ose këmbë të cilat do të zhduken me kalimin e kohës. Gjatë ditëve të para pas lindjes gruaja mund të ndjejë disa pickime në vendin e shpimit të cilat janë të përkohshme.
Në disa gra mund të ndodhë një rritje e temperaturës, sidomos nëse anestezia vazhdon për më shumë se 6 orë, gjë e cila gati nuk do të vihet re pasi ajo do të jetë e përqendruar vetëm tek lindja.
Në disa raste mund të shfaqet alergji. Komplikacioni më serioz që mund të shfaqet është hematoma peridurale, e shkaktuar nga gjakderdhja në pjesën e brendshme të shtyllës kurrizore, e cila në rastet më ekstreme mund të shkaktojë paralizë të gjymtyrëve të poshtme. Megjithatë ndodh rrallë.
11- Është e vërtetë që nëna pas lindjes mund të ketë dhimbje koke?
Siç e përmendëm edhe më sipër është një prej efekteve anësore që mund të shfaqen tek gruaja. Megjithatë mund të ndodhë në rreth 1% të rasteve, dhe kjo nëse gjilpëra e injektimit arrin deri në hapësirën subaraknoide, për shembull për një anomali anatomike apo në rast se nëna bën një lëvizje të gabuar në momentin e shpimit.
Bëhet fjalë për një dhimbje koke mjaft intensive, e cila shfaqet rreth 24 orë pas lindjes dhe theksohet më tepër gjatë qëndrimit ulur ose në këmbë. Këshillohet qëndrimi shtrirë në shtrat si edhe pirje të sasive të konsiderueshme lëngjesh.
12- Mund të pasoja për fëmijën?
Edhe pse medikamentet që përdoren gjatë anestezisë në teori mund të shkaktojnë depresion neonatal, përgjumje ose insufiçencë në frymëmarrje, mund të themi se doza e përdorur është e tillë që të veprojë vetëm në nivel lokal dhe për pasojë nuk do të vërehet asnjë problem për të porsalindurin.
13- Mund të ndikojë epidurali në proçesin e gjidhënies?
Edhe pse janë bërë diskutime të shumta në lidhje me këtë, mund të themi me siguri që nuk ekziston ndonjë ndryshim i madh në proçesin e gjidhënies për një grua që ka lindur me anestezi dhe asaj që ka lindur pa anestezi.
14- Mund të shërbeje epidurali si anestezi në rast të një operacioni çezarian?
Po, mund të përdoret, por normalisht përdoren doza më të larta nëpërmjet kateterit, megjithatë anestezia që përdoret në rast operacioni është ajo spinale.
15- Mund të përdoret edhe pas lindjes nëse gruaja duhet të qepet?
Po, mund të përdoret, por në këtë rast do të mpihen edhe këmbët për rreth 1-2 orë.
16- Kush duhet të bëjë epiduralin, duhet të bëjë më parë një vizitë me anestezistin?
Po, vizita paraprake me mjekun anestezist është e domosdoshme në mënyrë që gruaja në rast se gjatë lindjes vendos ta bëjë epiduralin, të dijë çfarë ndodh.
17- Është e nevojshme kryerja e analizave?
Për një ecuri të mirë është e nevojshme që gruaja në muajin e fundit të shtatëzanisë të bëjë analizat e gjakut për të parë afësinë koaguluese (mpiksja e gjakut). Në rast se nuk janë bërë këto analiza gruaja nuk mund të bëjë epiduralen, dhe në rast lindje me operacion duhet të kryejë anestezi të përgjithshme (narkozë).
18- Në cilat raste nuk duhet bërë epidurali?
Janë shumë pak raste specifike. Nuk mund të bëhet nëse gruaja ka:
– Sëmundje neurologjike që lidhen me shtyllën kurrizore;
– Patologji në koagulimin e gjakut;
– Infeksione në vendin ku do të bëhet shpimi;
– Skoliozë të rëndë;
– Ndërhyrje të rëndësishme kirurgjikale në shtyllën kurrizore.