Prerja cezariane duket sikur është bërë shumë e shpeshtë vitet e fundit në vendin tonë. Ndonjëherë është e vetmja mënyrë e mundshme e lindjes së sigurt dhe ndonjëherë zgjidhet me dëshirë.
Sot pothuajse një në tre shtatzëni përfundon me prerje cezariane. Kjo u ndikua nga një sërë faktorësh: lëvizja e kufirit të moshës për të lindur fëmijë, steriliteti martesor, sëmundjet e nënës etj.
Komplikimet që mund të ndodhin gjatë një prerje cezariane janë më të shpeshta sesa gjatë lindjes vagjinale: humbja e gjakut së paku është dyfish më e madhe, infeksionet janë më të shpeshta, probabiliteti i embolisë me ujë amniotik është dukshëm më i lartë, dhe ndonëse shfaqen rrallë edhe komplikime që kanë të bëjnë me anestezinë
Por edhe fëmijët e lindur me prerje cezariane më ngadalë adaptohen me botën e re, “sindroma e mushkërive të lagështa” është më e zakonshmja, laktacioni fillon më vonë etj.
Sa duhet të pritet deri në shtatzëninë e ardhshme?
Nëse lindja e parë është me prerje cezariane nuk do të thotë që gruaja patjetër do të lindë gjithmonë në atë mënyrë.
Distanca optimale dhe e rekomanduar midis shtatzënive kur shtatzënia e parë është bërë me prerje cezariane është dy ose më shumë vjet.
Çdo shtatzëni me më shumë se dy prerje cezariane konsiderohet me rrezik të lartë, sepse ka rreziqe të rupturës së mitrës si dhe rreziqe të rritjes së placentës dhe gjakderdhjes, – thonë gjinekologët.
Operacioni cezarian nuk është çështje zgjedhjeje apo dëshire
Shërimi pas operacionit cezarian është përgjithësisht relativisht i shpejtë. Gratë dërgohen në shtëpi pas 4 ose 5 ditësh pas lindjes. Ajo që është e rëndësishme të dini është se përgatitja për një prerje cezariane është më delikate sesa për një lindje vagjinale. Gruaja shtatzënë duhet të dijë se vendosja e një indikacioni për këtë lloj lindjeje është e natyrës ekskluzive mjekësore dhe vendimin e merr mjeku obstetër që drejton lindjen.
Prerja cezariane është një operacion që duhet të ketë indikacione të justifikuara dhe, si çdo ndërhyrje kirurgjikale, të ketë komplikime të mundshme, prandaj përgjegjësia e indikimit është në dorën e mjekut obstetër dhe jo çështje zgjedhjeje apo dëshirë e gruas shtatzënë.