Ndodh që vjen një moshë kur fjalët dhe fjalitë e para te fëmija juaj fillojnë të shpërthejnë.
Po kur u bë kaq “llafazan”?
Për shkak se gjuha dhe e folura zhvillohen me shumë shpejtësi gjatë fëmijërisë së hershme, mundet të jetë e vështirë për të dalluar se cilat modele të të folurit janë tipike/të duhurat dhe çfarë mund të jetë një sinjal për shfaqjen e një çrregullimi të të folurit dhe gjuhës.
Belbëzimi ose mbajtja e gojës sic e quajmë zakonisht, është një nga çrregullimet e zakonshme në fëmijëri, por kur është i shpeshtë dhe i vazhdueshëm në të folurin e fëmijës ndërhyrja mund të jetë e nevojshme.
Mbani mend:
– Belbëzimi është një çrregullim i zakonshëm i të folurit në fëmijërinë e hershme.
– Belbëzimi ndodh atëherë kur një fëmijë ngec te një tingull, rrokje ose fjalë. Për shembull, fjalën “makina” mund ta shprehi në këtë mënyrë “m-m-m-m-akina”. Kjo ndodh më shpesh kur fëmija është shumë i emocinuar për të treguar diçka.
– Nëse zgjat të paktën 3-6 muaj mund të jetë tregues për një të folur jo normal, gjë që kërkon vlerësim të mëtejshëm.
– Nëse jeni të shqetësuar për të folurin e fëmijës suaj, ju mund të flisni me pediatrin e fëmijës, me psikiatrin për fëmijë ose me specialist të fushës së komunikimit dhe të folurit. Ndërhyrja e hershme mund t’i ndihmojë fëmijët që të kapërcejnë vështirësitë e lidhura me të folurin dhe belbëzimin përpara se ata të arrijnë moshën shkollore.
Çfarë është belbëzimi?
Belbëzimi është një çrregullim i të folurit, që ndodh kur fëmija ngec te një tingull, rrokje ose fjalë, pra e folura ndërpritet. Mund të ngjajë sikur ka ngecur pas një fjale, fraze, ose fjalie. Për shembull, ai mund të provojë të thotë “makina”, por që në të vërtetë tingëllon si “m-m-m-m-akina”.
Fëmijët e vegjël janë ende duke mësuar që të flasin dhe duke shtuar fjalorin e tyre, ndaj është e natyrshme për ta që të kenë vështirësi në shqiptimin e fjalëve.
Nëse vini re që fëmija juaj ka filluar ta bëjë këtë p.sh., në rastet kur është shumë i emocionuar për të thënë diçka, zakonisht nuk përbën shqetësim.
Belbëzimi është diçka tjetër, mund të nisë herët, rreth moshës 2 vjeçare, por mundet edhe që të mos shfaqet deri në moshën shkollore. Belbëzimi i vërtetë shpesh është i pranishëm në të folurin e fëmijës dhe ju mund të vini re që ai mund të nevrikoset, të lodhet shumë kur përpiqet që të thotë diçka. Ai mund të bëjë disa pushime gjatë fjalisë, mund të mos jetë i aftë për të thënë diçka kur përpiqet, ose mund të duket i frikësuar për të folur.
Diagnostikimi dhe trajtimi i belbëzimit
Nëse belbëzimi zgjat të paktën 3-6 muaj mund të jetë tregues për një të folur jo normal, gjë që kërkon vlerësim të mëtejshëm. Një histori familjare për belbëzim mund të jetë një diçka e rëndësishme, që ia vlen të vlerësohet.
Nëse jeni të shqetësuar për të folurin e fëmijës tuaj, mund të flisni fillimisht me pediatrin e tij. Ai mund të bëjë një vlerësim të shpejtë të të folurit të fëmijës suaj dhe duke marrë parasysh edhe shqetësimet tuaja mund t’iu referojë te një specialist për të folurin dhe gjuhën.
Specialisti që në këtë rast mund të jetë psikiatër për fëmijë zakonisht është ai që do të përcaktojë nëse modelet e të folurit të fëmijës suaj janë të duhurat/normale apo nëse anojnë më tepër nga belbëzimi.
Ndërhyrja e hershme ka shanse ta ndihmojë fëmijën që të kapërcejë sfidat që lidhen me belbëzimin përpara se ai të arrijë moshën shkollore. Logopedia është një metodat e zakonshme të trajtimit, që mund të ndihmojë si ju ashtu edhe fëmijën tuaj për të mësuar strategji të reja për të përmirësuar të folurin e tij. Specialisti mund t’ju japë këshilla se si të punoni me fëmijën tuaj në shtëpi, si të jeni të duruar ndërkohë që ia flet dhe të jeni të kujdesshëm që të mos e ndërprisni ndërkohë që përpiqet që të thotë fjalën.
Terapi të tjera, si terapia okupacinale, mundet që të jenë një plan i mundshëm trajtimi për fëmijën tuaj në varësi të shkallës së rëndesës së belbëzimit dhe të shkaktarit të mundshëm të tij. Për shembull, fëmijët e vegjël që duket të mbartin shumë ankth lidhur me të folurin mund të përfitojnë nga teknikat e përdorura në terapinë okupacionale ose në terapinë konjitive-bihejviorale, si ushtrimet me frymëmarrjen, për të lehtësuar dhe pakësuar simptomat.
Ndërkohë që fëmija juaj rritet dhe me ndihmën e specialistit të ketë fituar aftësi të tjera gjuhësore, ai mundet që ta tejkalojë belbëzimin.