Gjatë ditëve të para një bebe duhet të ushqehet çdo 1.5 deri në 3 orë. Ndërsa stomaku i bebes rritet dhe fillon të shtojë në peshë, intervali i ushqyerjes shkon në çdo 3-4 orë.
Është e rëndësishme të mos harroni se të porsalindurit jo gjithmonë reagojnë për t’ju lënë të kuptoni se janë të uritur gjatë javëve të para prandaj duhet t’i zgjoni për t`i ushqyer.
Të porsalindurit preferojnë të qëndrojnë zgjuar gjatë natës dhe të flenë më shumë ditën për këtë arsye cikli i të ushqyerit mund të luhatet bazuar në vigjilencën e foshnjës suaj. Normalisht gjatë javëve të para duhet ta ushqeni fëmijën 8-12 herë në ditë.
Foshnja e porsalindur:
Bebja e porsalindur ka nevojë të ushqehet 8-12 herë gjatë 24 orëve të para. Shumë bebe mund të kenë nevojë për tu ushqyer edhe më shpesh se kaq dhe sërish mund të duket sikur fëmija është i pangopur. Kjo ndodh për shkak se stomaku i tyre është shumë i vogël, sa madhësia e qershisë dhe mbushet e boshatiset shumë shpejt. Ushqyerja e shpeshtë është thelbësore edhe për të shtuar sasinë e qumështit të gjirit prandaj duhet të ushqeni të voglin sipas kërkesës së tij jo duke pritur të vendosni orare.
Foshnja 3 ditëshe:
Foshnja ka nevojë të pijë 8-12 herë në ditë. Ushqejeni foshnjën sipas kërkesave që ka dhe monitoroni sasinë e pelenave të lagura. Nëse për 24h nuk shihni të jenë lagur pelenat duhet të flisni me mjekun.
Foshnja 1 javëshe:
Foshnja ka nevojë të pijë 8-12 herë në ditë. Ndërsa ardhja e qumështit në gji gjatë kësaj periudhe stabilizohet edhe fëmija do të pijë më shumë qumësht. Në fund të javës së parë do të filloni të keni më shumë qumësht, i cili është më i hollë dhe përmban më shumë ujë se qumështi i ditëve të para.
Në këtë moment qumështi i gjirit përmban 90% ujë dhe 10% karbohidrate, proteina dhe yndyrna të nevojshme si për rritjen ashtu edhe për t’i dhënë energji.