Ekzaminimi klinik i gjirit, është ekzaminimi i cili kryhet duke palpuar gjirin për të vlerësuar gjëndra të ndryshme të cilat ndjehen me dorë; ka një sensitivitet rreth 40% dhe specifikimet rreth 80%, ndaj është e nevojshme plotësimi me ekzaminime imazherike. Ekografia dhe mamografia janë ekzaminimet më të nevojshme për ekzaminimin e gjirit, nëpërmjet këtyre ekzaminimeve mund të zbulojmë masa në gji, edhe në madhësi të vogël (rreth 5 mm).

Kështu shpjegon mjekja radiologe, Diana Dhimitri.

Në një intervistë për Bebja.com Diana Dhimitri thotë se ekografia e gjirit kryhet rregullisht një herë në vit duke filluar nga mosha 25 vjeç. Është ekzaminim që përdor ultratinguj për përftimin e imazheve, pra nuk ka rrezatim jonizues, për pasojë as efekte anësore. Është ekzaminim i shpejtë, me kosto të ulët, por rezultati varet shumë nga mjeku që e kryen si ekzaminim, pra është operator-dependente.

Intervista e plotë:

1. Çfarë shërbimesh ofron një mjek radiolog?

Radiologjia ose Diagnoza me Imazhe është ajo fushe e mjekësisë që përdor ekzaminimet imazherike si ekografia, radiografia, mamografia, tomografi e kompjuterizuar (ose ndryshe skaner) dhe rezonanca magnetike për vendosjen e diagnozës nëpërmjet imazheve që përfitohen nga këto aparatura.

Mjeku Radiolog është mjeku specialist për interpretimin dhe vendosjen e diagnozës nëpërmjet imazheve.
Tek mjeku radiolog mund të kryeni ekografi të pjesëve të ndryshme të trupit si dhe marrjen e Biopsive të drejtuara nën një aparature për regjione të caktuara.

2. Cili është roli i mamografise, ekografisë dhe ekzaminimit klinik të gjirit?

Ekografia dhe mamografia janë ekzaminimet më të nevojshme për ekzaminimin e gjirit, nëpërmjet këtyre ekzaminimeve mund të zbulojmë masa në gji, edhe në madhësi të vogël (rreth 5 mm). Ekzaminimi klinik i gjirit, është ekzaminimi i cili kryhet duke palpuar gjirin për të vlerësuar gjëndra të ndryshme të cilat ndjehen me dorë; ka një sensitivitet rreth 40% dhe specifikimet rreth 80%, ndaj është e nevojshme plotësimi me ekzaminime imazherike.

3. Si mund të zbulohet kanceri i gjirit?

Është shumë i rëndësishëm kontrolli periodik i gjirit me ekografi ose mamografi në varësi të grup moshës, gjithashtu ajo që vlen të theksohet është vetë-kontrolli i gjirit që çdo grua duhet të bëjë në mënyrë periodike.

4. Sa shpesh duhet të kryhen këto ekzaminime?

Ekografia e gjirit kryhet rregullisht një herë në vit duke filluar nga mosha 25 vjeç. Është ekzaminim që përdor ultratinguj për përftimin e imazheve, pra nuk ka rrezatim jonizues, për pasojë as efekte anësore. Është ekzaminim i shpejtë, me kosto të ulët, por rezultati varet shumë nga mjeku që e kryen si ekzaminim, pra është operator-dependente.
Mamografia duhet të kryhet nga mosha 40 vjeç çdo 2 vjet, dhe më pas çdo vit, shpesh e kombinuar me ekografi për të rritur saktësinë diagnostike.

Kohet e fundit, po rritet vëmendja në drejtim të përcaktimit të një kontrolli të personalizuar të gjirit, kjo do të thotë që në bazë të faktorëve të riskut – gjetjeve imazherie dhe klinike – moshës, jepen rekomandimet për çdo grua sesa shpesh duhet të kryejë kontrollin e gjirit dhe me çfarë ekzaminimesh. Në disa raste, rekomandohet edhe screening periodik me Resonance Magnetike.

5. Cilët janë faktorët e rrezikut për kancer gjiri?

Disa nga faktorët kryesorë që ndikojnë në riskun për tu prekur nga kanceri i gjirit janë:

– Mosha – risku rritet rreth moshës 50 vjeç

– Trashëgimia – familjaritet për kancer gjiri, ovare apo pankreasi.

– Lindshmëria dhe ushqyerja me gji – gratë që nuk kanë lindur kanë risk pak më lartë, gjidhenia ka efekt mbrojtës për gjirin (sidomos mbi 12 muaj ushqyerje me gji)

– Cikli menstrual i hershem (para moshës 12 vjeç) dhe menopauzë e vonë (pas moshës 55 vjeç)

– Densiteti i lartë i gjirit – sa më shumë ind glandular, aq më tepër risk.

– Terapia hormonale – marrja e disa lloje hormonesh apo terapite që bëhen për procedura “in vitro” rrisin riskun për kancer gjiri
– Alkooli – flitet pak, por është ndër lëndët më toksike për gjirin

– Obeziteti dhe jeta sedentare, sidomos pas menopauzës.

6. Cili është roli i diagnostikimit në kohë?

Në vitet e fundit, trajtimi për kancerin e gjirit ka avancuar shumë, duke rritur ndjeshëm rastet e shërimit të plotë dhe jetëgjatësinë në gratë e prekura nga kjo sëmundje.

Suksesi i trajtimit të një kanceri në gji, lidhet drejtpërsëdrejti me madhësinë e tumorit në momentin e diagnozës. Një tumor gjiri i kapur nën 10 mm, ka shërim të plotë në 99% të rasteve, kjo i jep shumë rëndësi diagnostikimit në kohë.

7. Cilat janë simptomat më të shpeshta të kancerit të gjirit?

Në rastin më të shpeshtë gratë paraqiten pas një gjëndre që kanë prekur në gji, e cila nuk ka qenë më parë. Një shenjë tjetër mund të jetë edhe tërheqja nga brenda e kokës së gjirit ose tërheqje në një pjesë të lëkurës.

Ndryshimet në lëkurë mund të shfaqen edhe si trashje apo skuqje e lëkurës, këto janë simptoma jospecifike dhe në një pjesë të madhe rastesh mund të jenë edhe nga një inflamacion i gjirit, por duhet të paraqiteni për kontroll në çdo rast që shfaqet një ndryshim në gjirin tuaj.

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.