Shtatzënia është një periudhë e vështirë në jetën e një gruaje, sepse edhe devijimet dhe çrregullimet e vogla në zhvillimin e fëmijës mund të shkaktojnë pasoja të rënda në të ardhmen. Ndër patologjitë më të rrezikshme, mjekët dallojnë hipoksinë e fetusit. Çfarë është? Si ta identifikoni problemin saktë dhe shpejt? A mund të kurohet hipoksia? Cilat janë pasojat për një të porsalindur?

Për këtë problem mjeku Bledi Gjevori shpjegon se Hipoksia fetale është një gjendje që karakterizohet nga një furnizim jo i mjaftueshëm i fetusit me oksigjen.

Në një intervistë për Bebja.com, Bledi Gjevori tregon se hipoksia ngadalëson rritjen e fetusit dhe kufizimi i rritjes konsiderohet tani një faktor rreziku i hipertensionit arterial të parakohshëm dhe sëmundjeve kardiovaskulare, ndoshta dytësore për mosfunksionimin endotelial. Mund të shkaktojë epilepsi, paralize cerebrale, vonesa mendore etj.

Mund të rrisë tendencën për sëmundje të frymëmarrjes dhe lindje të parakohshme. Në raste kur hipoksia nuk trajtohet mund të ketë pasoja fatale për fetusin.

Intervista e plotë:

1. Çfarë është Hipoksia fetale? Çfarë e shkakton?

Hipoksia fetale është një gjendje që karakterizohet nga një furnizim jo i mjaftueshëm i fetusit me oksigjen. Sipas Kingdom dhe Kaufmann mund të klasifikohet në:

1- Hipoksi preplacentare, është një gjendje ku nëna dhe fetusi vuajnë nga hipoksia. Mund të
shkaktohet nga:

A- Sëmundje kardiovaskulare të nënës si, defekte kongjenitale, insuficienca kardiake, sëmundja hipertonike, hipertensioni pulmonar.

B- Sëmundje pulmonare të nënës si, sëmundje pulmonare kronike, fibroza kistike, astma bronkiale, tuberkulozi, infeksione respiratore akute
gjatë shtatzënisë.

C- Sëmundje hematologjike të nënës si, anemi të renda, anemi drepanocitare, talasemia.

D- Sëmundje metabolike si, diabeti dhe amiloidoza.

2- Hipoksi uteroplacentare, ku oksigjenimi i nënës është normal por qarkullimi utero-placentar është i
dëmtuar. Mund te shkaktohet nga:

– Vendosja jo normale e placentes në fillim të shtatzënisë.

– Shkëputja e placentës.

– Sëmundje vaskulare e placentës gjatë shtatzënisë.

3- Hipoksi post-placentare, ku vetëm fetusi është hipoksik. Mund të shkaktohet nga:

– Shtypje, këputje dhe bllokim i arteries uterine.

– Bllokim ose keqformim kongjenital i zemrës së fetusit.

– Anomali të rëndësishme gjenetike.

2. Në cilën fazë të shtatzanisë shfaqet hipoksia fetale?

Hipoksia fetale mund të shfaqet në cdo fazë të shtatzanisë, shkaqet janë të ndryshme dhe pasojat mund të ndryshojnë në farësi të momentit ku shfaqet.

3. Shumë gra, kur mësojnë për një problem të tillë, tmerrohen, sepse gabimisht mendojnë se kjo me siguri do të çojë në vdekjen e fëmijës së tyre?

Siç e shpjegova dhe më lart hipoksia fetale është një gjendje e shkaktuar nga disa faktorë të ndryshëm dhe pasojat varen nga faktorët që e shkaktojnë dhe nga faza e shtatzënisë kur ndodh hipoksia.

Hipoksia ngadalëson rritjen e fetusit dhe kufizimi i rritjes konsiderohet tani një faktor rreziku i hipertensionit arterial të parakohshëm dhe sëmundjeve kardiovaskulare, ndoshta dytësore për mosfunksionimin endotelial. Mund të shkaktojë epilepsi, paralize cerebrale, vonesa mendore etj.
Mund të rrisë tendencën për sëmundje të frymëmarrjes dhe lindje të parakohshme. Në raste kur hipoksia nuk trajtohet mund të ketë pasoja fatale për fetusin.

4. Cilat janë simptomat?

– Ulje e lëvizshmërisë së fetusit ose mos lëvizshmëri e fetusit.

– Ulje e rrahjeve të zemrës së fetusit.

– Ne disa raste nëna mund të shfaqe simptoma si, lodhje, pagjumësi, probleme me shikimin, dhimbje koke, zhurmë në vesh (tinnitus) deri në konvulsione.

5.Si mund të trajtohet hipoksia e fetusit tek gratë shtatzëna?

Nuk ekziston një trajtim unik për hipoksine fetale.

Trajtimi bëhet në varësi të shkakut. Këshilloj të gjitha nënat që janë duke planifikuar një shtatzëni të kryejnë kontrolle paraprake për sëmundje kronike sistemike dhe gjinekologjike të cilat mund të influencojnë mbarëvajtjen e shtatzënisë, dhe nënat shtatzëna të kryejnë vizita të rregullta tek mjeku obsteter-gjinekolog (1 here në muaj në tremujorin e pare, 1 here në 2-3 jave në tremujorin e 2-te dhe 1 herë në 7-10 ditë në tremujorin e 3-të) për të diagnostikuar dhe parandaluar problemet e lidhura me hipoksinë fetale.

 

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.