Pikturat murale në dhomat e tyre, çerdhe, kopshte dhe shkolla janë kontakti i tyre me artin. Një fëmijë mund të mos i kushtojë vëmendje një telajoje të varur në muret e shtëpisë, po kurrsesi nuk qëndron indiferent ndaj personazheve të përrallave të pikturuar në muret e çerdhes dhe të kopshtit që frekuenton. Shpesh fëmijët e identifikojnë veten me personazhet e përrallave dhe filmave të parapëlqyer, ndaj kontakti me pikturat në mure u zhvillon fantazinë dhe i fut në një botë ngjyrash dhe ëndrrash.
Kështu shpjegon piktorja Fabjola Bamo e cila pothuajse ka pikturuar në shumicën e çerdheve dhe shkollave në Tiranë, spikat për talentin e saj por edhe në mesazhet edukative që përcjell.
Në një intervistë për Bebja.com Fabjola Bamo thotë se “është shumë e rëndësishme prania e pikturave argëtuese apo didaktike në kopshte, çerdhe e shkolla. Në moshën 2-3 vjeç prindërit t’u japin fëmijëve lapsa, ngjyra, letra për të pikturuar, apo dhe shkarravitur. Në mos do të bëhen piktorë, të paktën do të zhvillojnë fantazinë.”
Intervista e plotë:
1. Fabjola, ju thoni se “Arti është më shumë sesa thjeshtë një pikturë në një kanavacë”, konsiderohet një mjet i fuqishëm për zhvillimin e fëmijëve”. Mund tua shpjegojmë lexuesve me detaje se çfarë roli ka piktura në zhvillimin e fëmijëve?
Pa dashur të nënvlerësojmë pikturën në telajo do të thosha që muralet janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve. Pikturat murale në dhomat e tyre, çerdhe, kopshte dhe shkolla janë kontakti i tyre me artin. Një fëmijë mund të mos i kushtojë vëmendje një telajoje të varur në muret e shtëpisë, po kurrsesi nuk qëndron indiferent ndaj personazheve të përrallave të pikturuar në muret e çerdhes dhe të kopshtit që frekuenton. Shpesh fëmijët e identifikojnë veten me personazhet e përrallave dhe filmave të parapëlqyer, ndaj kontakti me pikturat në mure u zhvillon fantazinë dhe i fut në një botë ngjyrash dhe ëndrrash. Mendoj se është shumë e rëndësishme prania e pikturave argëtuese apo didaktike në kopshte, çerdhe e shkolla për arsyet e lartpërmendura dhe jo vetëm.
2.Cila është mosha e duhur që një fëmijë mund të nisi kursin e pikturës?
Nuk ka receta për moshën e fillimit të kursit. Është vetë fëmija ai që duhet të ndihet gati për të kaluar nga stadi i pikturës sipas dëshirës, në atë të pikturës së orientuar nga mësuesi. Gjatë përvojës time me fëmijët, kam pasur në kurse fëmijë 2-3 vjeç shumë të talentuar, të përkushtuar dhe të përgjegjshëm. Gjithashtu kam pasur në kurs dhe fëmijë 7-8 vjeç, që nuk u pëlqente të ushtroheshin pavarësisht se kishin talent. Gjithsesi, ajo që unë këshilloj, është që në moshën 2-3 vjeç prindërit t’u japin fëmijëve lapsa, ngjyra, letra për të pikturuar, apo dhe shkarravitur. Në mos do të bëhen piktorë, të paktën do të zhvillojnë fantazinë.
3. Në Shqipëri shpesh herë dëgjojmë “talenti për pikturë është i trashëguar nga prindërit ose gjyshërit, pra i lindur”. Mund të na tregoni si keni filluar të pikturoni?
Talentin e kam të trashëguar nga mami. Dhe ka qenë mami ajo që më ka zbuluar talentin në pikturë. Kam qenë 3-4 vjeçe kur mami më dha në dorë lapsa dhe fletë dhe më sugjeroi të vizatoj. Jashtë binte borë dhe nuk mund të luaja, kështu që ajo më këshilloi të pikturoj. Nuk kisha prekur asnjëherë lapsa me dorë. Por pikturova një shtëpi, ca lule, një diell, bar. U habitën të gjithë. Ky ishte kontakti im me pikturën dhe që prej asaj dite nuk u ndala me. Jemi katër fëmijë në familje dhe vetëm unë kam talent në pikturë.
4. “Çdo fëmijë ndihet artist në fletët e tij gjatë orës së pikturës që zhvilloni në kopësht” ky është një vlerësim për ju Fabjola. Si e arrini këtë gjë? Duket e bukur në pamje të parë por duket që kërkon mund dhe shumë punë?
Çdo njeri lind artist. Talentet janë të shumëllojshme. Të kultivosh artistin te fëmijët është bukur po aq sa e vështirë. Ka talente që punojnë, talente që refuzojnë të zhvillohen, të papërqendruar apo fëmijë pa talent që synojnë të bëhen artistë. Pra, kategori të ndryshme në një grup të vetëm, në një kurs të vetëm. Sfida më e madhe imja fillon që në zgjedhjen e objektit që do të pikturohet apo temës.
Duhet të jetë një temë tërheqëse dhe koherente, nga ana tjetër duhet ta prezantosh bukur që ata të pranojnë të ndjekin udhëzimet e mia. Për shembull, në vjeshtë u mësoj të pikturojnë karakteristikat e stinës: pemën me gjethet e rëna, çadrën, shiun etj. Qëllimi im është jo vetëm të pikturojnë, por edhe të mësojnë duke pikturuar. Kështu, edhe ata që nuk kanë talent ndihen artistë.
5. Shumë çerdhe dhe kopshte në Tiranë kanë pikturat që keni bërë. Si i ndihmojnë fëmijët pikturat në këto ambientet edukative? Cilat janë pikturat më të shpeshta që bëjnë penelat e tu?
Sikurse u shpreha edhe më lart, përveç argëtimit dhe efektit viziv, pikturat e mia kanë edhe qëllim edukativ: në një pjesë të mirë të rasteve, në mure unë pikturoj përralla të ndryshme. Përgjithësisht, përrallat vijnë të plota duke përfshirë dhe natyrë që nga pemët, lule, bar, re, diell etj. Pra, jo thjesht personazhe të palidhura në një sfond të caktuar. Në këtë mënyrë, fëmija mëson përveç historisë dhe mesazhit që përcjell përralla, edhe elementët e natyrës. Një tjetër lloj pikture shumë e kërkuar dy vitet e fundit janë klasat didaktike.
Kopshtet më kërkojnë të pikturoj një klasë didaktike apo edhe më shumë që përfshin: alfabetin, numrat, figurat gjeometrike, katër stinët, ditët e javës, muajt e vitit, fjalët magjike dhe dukuritë natyrore. Të gjitha këto, unë i pikturoj në trajtën fëminore, si p.sh. numrat në trupin e një nusepashke ose fluture, alfabetin në gjethet e një peme, yje, lule apo pika shiu. E kështu me rradhë… vogëlushët argëtohen çdo ditë me këto piktura, por njëkohësisht kjo i ndihmon të fiksojnë më mirë mësimet.
6. Jemi befasuar nga pikturat që keni realizuar, mund tju themi me plotë gojën se jeni një ndër piktoret më të dashura por edhe burim frymëzimi për shumë fëmijë. Për ta kuptuar më thjeshtë prindërit që do të lexojnë intervistën. Ju realizoni piktura edhe për dhomat e bebushave, ne nuk e konsiderojmë thjesht një dhuratë që zbukuron dhomën, por misioni i kësaj pikturë është më shumë se kaq. Kur të rritet ky fëmijë, a mund të frymëzohet dhe të ketë dëshirën të pikturojë?
Përpos zbukurimit të murit, qëllimi i pikturës është edhe edukimit dhe frymëzimi. Për vogëlushët është shumë e rëndësishme të bëjnë një gjumë të qetë mes personazheve të dashura të përrallave dhe filmave, por dhe natyrës që vjen me këto përralla. Kam njohur fëmijë që ua kanë kërkuar prindërve t’u pikturojnë dhomën për të mos u ndier vetëm. Ka vogëlushë që preferojnë të flenë me prindërit në një dhomë sepse i tremb errësira apo vetmia. Personazhet e dashura nëpër mure i bëjnë më guximtarë për të sfiduar errësirën. Ata nuk ndihen vetëm dhe fantazojnë episode të përrallave, duke përfshirë edhe veten e tyre si personazh.
7. Të lutemi një mesazh në fund të kësaj interviste.
Unë kam lindur në Rrogozhinë, një qytet i vogël ku nuk kishte as një shtëpi pionieri. Nuk kam marrë asnjëherë në jetën time mësime pikture, por familja ime më ka mbështetur shumë, që të mos e braktis artin. Kam studiuar në fusha të tjera, por në fund zgjodha t’i kushtoj jetën pikturës. Më është dashur shumë punë , lodhje dhe përkushtim për të arritur deri këtu. Ajo ç’ka do t’u sugjeroja prindërve është të mos u presin ëndrrat fëmijëve dhe t’i lënë të lirë të ndjekin talentin e tyre. Jeta na vjen si dhuratë vetëm një herë, ndaj duhet të realizojmë ëndrrat dhe të ndihemi të lumtur.
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.