Infeksionet urogenitale tek femrat janë të shpeshta, për vetë ndërtimin anatomik të këtij trakti. Uretra e shkurtër dhe afërsia e saj dhe vaginës me anusin e favorizon infeksionin e rrugëve urinare dhe gjenitale. Shkaktarët më të shpeshtë të infeksioneve urinare, por edhe vaginale, janë bakteret që jetojnë në zorrën e trashë. Kështu shpjegon Arlinda Elmasllari, mjeke Obstetrike – Gjinekologe.
Mjekja thotë se infeksioni gjenital, paraqitet me ndjesi djegie, kruarje, pickime, sekrecione të shtuara me ndryshim në ngjyrë dhe në erë.
Në një intervistë për Bebja.com Arlinda Elmasllari tregon se mënyra të tjera infektimi, përveç kontaminimt nga bakteret e zorrës së trashë, janë marrëdhënia seksuale dhe kontaminimi nga bakteret në tualetet publike, pishinat.
Intervista e plotë:
1. Çfarë janë infeksionet urogenitale? Si shfaqen tek gratë dhe vajzat?
Infeksionet urogenitale tek femrat janë të shpeshta, për vetë ndërtimin anatomik të këtij trakti. Uretra e shkurtër dhe afërsia e saj dhe vaginës me anusin e favorizon infeksionin e rrugëve urinare dhe gjenitale. Shkaktarët më të shpeshtë të infeksioneve urinare, por edhe vaginale, janë bakteret që jetojnë në zorrën e trashë. Shkaqe të tjera, përmenden edhe infeksione seksualisht të transmetueshme (chlamydia, trichomonas, gonorrhea ETJ).
2. Cilat janë simptomat?
Simptomat e infeksionit urinar përfshijnë: djegie gjatë urinimit, urinim të shpeshtë dhe në sasi të pakët, dhimbje gjatë urinimit, dhimbje në fund të barkut. Infeksioni gjenital, paraqitet me ndjesi djegie, kruarje, pickime, sekrecione të shtuara me ndryshim në ngjyrë dhe në erë.
3. Dr. Arlinda infeksioni a rezulton nga bakteriet (E.Koli) me origjinë nga zorrët?
Jo në të gjitha rastet, infeksionet shkaktohen nga bakteret e zorrës së trashë, por shkaktaret më të shpeshtë janë Escherichia coli dhe Enterococcus faecalis.
4. Cilat janë disa mënyra të tjera të infektimit?
Mënyra të tjera infektimi, përveç kontaminimt nga bakteret e zorrës së trashë, janë marrëdhënia seksuale dhe kontaminimi nga bakteret në tualetet publike, pishinat.
5. Si trajtohet? Komplikacionet? Cilat është diagnoza?
Diagnoza e infeksionit urinar, vendoset duke u nisur nga simptomat, analiza e urinës komplet, dhe urokultura. Ndërsa për infeksionet gjenitale, nëpërmjet vizitës vaginale, dhe analizave të sekrecioneve vaginale si strisho, kulturat e sekrecioneve dhe af genital. Komplikacion i infeksionit të fshikëzës së urinës është ngjitja e infeksionit më sipër në rrugët urinare duke përfshirë veshkat, dhe për infeksionin vaginal, prekja e qafës së mitrës, mitrës deri në përhapjen e infeksionit në pelvis, në fund të barkut.
6. A përsëriten infeksionet e rrugëve urinare duke u shoqëruar me ndërlikime?
Infeksionet përsëriten, dhe ndonjëherë janë të vështira për t`u trajtuar plotësisht. Rëndësi ka që të ruajmë higjienën intime dhe të kujdesemi për shmangien e tyre.
7. Si mund të parandalohet? Të lutemi disa këshilla për kujdesin e higjenës intime?
Këshillat për higjienën intime dhe shmangien e infeksioneve urogenitale përfshijnë:
-konsumimi i sa më shumë ujë gjatë përditshmërisë,
-mosmbajtja gjatë e urinës.
-kujdesi për florën bakteriale të traktit tretës dhe vaginës (marrja e probiotikeve, ushqyerje e shëndetshme)
-në larjen e zonës intime të përdoret një detergjent farmaceutik me pH 3.8-4.2, duke u shpëlarë nga vagina në drejtim të anusit, me qellim shmangien e kontaminimit.
-mospërdorimi i dusheve vaginale.
-pacientet që vuajnë shpesh nga infeksionet vaginale: të përdorin probiotike vaginale për të paktën një muaj me qellim rregullimin e pH dhe florës vaginale, krijimi i një mikrobiome sa më të mirë për vaginën
-mqs jemi në stinën e verës: mbajtja sa më e thatë e zonës intime, mospërdorimi i tamponëve vaginale (ose ndërrimi i shpeshte i tyre).
JU FALEMINDERIT!
UROJ QË KETO INFORMACIONE DHE KESHILLA T`I VLEJNË VAJZAVE DHE GRAVE.
MOS HARRONI KONTROLLE TË RREGULLTA TE GJINEKOLOGU: VIZITË, PAP TEST, EKOGRAFI DHE KONTROLL TË GJIRIT!
* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.