“Zemërimi tek fëmijët zakonisht ka si shkaktar kryesor ndërprerjen e një aktiviteti të caktuar që fëmija po e shijon dhe ka interes në të”.

Kështu shpjegon psikologia Hermiona Lekaj, duke shtuar se në zemërim ka ndikim lodhja që fëmija ka kaluar gjatë ditës, uria apo ankthi.

Një tjetër shkaktar i zemërimit është ndjesia e fëmijës se po i bëhet një padrejtësi (rastet kur një shok i merr lodrën me të cilën ai po luan, ose kërkesa e tij nuk plotësohet).

Në një intervistë për Bebja.com Hermiona Lekaj shpjegon se mënyra më e mirë për të menaxhuar zemërimin e fëmijëve është të arrini të bashkëpunoni me ta për ta kaluar më lehtë të gjithë procesin. Ndihmojeni fëmijën t’i emërtojë të gjitha ndjesitë që ka, dhe bëjeni të ndihet i kuptuar. Krijoni një ambiente të sigurt dhe të rehatshëm, numëroni së bashku me fëmijën, bëni frymëmarrje të thella.

Intervista e plotë:

1. Çfarë e shkakton shpërthimin e zemërimit tek fëmijët? A është normale apo duhet të shqetësohemi?

Zemërimi tek fëmijët zakonisht ka si shkaktar kryesor ndërprerjen e një aktiviteti të caktuar që fëmija po e shijon dhe ka interes në të. Gjithashtu në zemërim ka ndikim lodhja që fëmija ka kaluar gjatë ditës, uria apo ankthi. Një tjetër shkaktar i zemërimit është ndjesia e fëmijës se po i bëhet një padrejtësi (rastet kur një shok i merr lodrën me të cilën ai po luan, ose kërkesa e tij nuk plotësohet).

2. Hermiona, cilat janë mënyrat më të mira për të menaxhuar zemërimin tek fëmijët?

Mënyra më e mirë për të menaxhuar zemërimin e fëmijëve është të arrini të bashkëpunoni me ta për ta kaluar më lehtë të gjithë procesin. Ndihmojeni fëmijën t’i emërtojë të gjitha ndjesitë që ka, dhe bëjeni të ndihet i kuptuar. Krijoni një ambiente të sigurt dhe të rehatshëm, numëroni së bashku me fëmijën, bëni frymëmarrje të thella. Në këto situata është shumë e rëndësishme ruajtja e qetësisë.

3. Po në rastet Kur fëmija fillon me të qara, goditje, kafshime, veprime fizike. Psh . Një nënë na ka pyetur se djali i saj 4 vjeç, sa herë zemërohet Kur nuk merr diçka, përplas kokën në dysheme?

Kryesorja në këtë rast është që fëmijës mos t’i lihet asnjë hapësirë e cila mund të kthehet në dëmtim për veten apo të tjerët. Prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm, mos të reagojnë me tone të larta ndaj fëmijëve, dhe në të njëjtën kohë mos tu japin vëmendje situatave të dhunshme. Mund ta qetësojnë situatën duke i thënë fëmijës se pasi ai të qetësohet mund ta diskutojnë së bashku për të marrë zgjidhje. Gjithashtu e rëndësishme është që fëmija të ndihmohet për t’i kërkuar gjerat që do në mënyrë të qetë, dhe të mund ta kuptoj nëse diçka nuk mund ta marrim. Nëse fëmija është rezistent ndaj sjelljes së tij, njësoj duhet të jetë edhe prindi derisa situata të normalizohet.

4. Një nënë tjetër na tregoi se djali i saj xhelozohet shpesh herë kur nëna e tij kujdeset për dy motrat e tij binjake, shpërthen në zemërim, herë pas here I godet? Pse ndodh? Çfarë mund ti sugjerojmë?

Në raste të tilla, është i pritshëm reagimi i djalit sidomos nëse është mësuar që të ketë vëmendjen e nënës vetëm për vete. Ai mendon se fajtor për këtë janë motrat binjake dhe ndaj tyre reagon me ashpër. Sugjerimi im do të ishte që nëna të organizojë aktivitete, lojëra, shëtitje, biseda me të tre fëmijët. Në këtë mënyrë fëmijët bashkëveprojnë me njeri tjetrin dhe me nënën, dhe vëmendja ndihet njësoj për të tre.

5. Hermiona, si mund ta ndihmojnë prindërit fëmijën të përballojë ndjenjën e zemërimit?

Kryesore për prindërit është që të ruajnë qetësinë. Prindërit duhet të arrijnë të identifikojnë shkakun që e ka shkaktuar zemërimin te fëmijët, në këtë mënyrë zgjidhja është më e thjeshte. Duhet të kenë kujdes në formën e komunikimit që përdorin në ato situata. Prindërit qëndrojnë afër me fëmijën dhe krijojnë një zgjidhje të përbashkët për situatën, e ndihmojnë fëmijën për ta zbatuar planin, dhe në fund e falënderojmë për te gjithë bashkëpunimin.

6. Të lutemi në fund të kësaj interviste, cili është mesazhi juaj për prindërit?

Mesazhi më i rëndësishëm për prindërit është që t’i ndihmojnë fëmijët ti kuptojnë dhe emërtojnë ndjesitë dhe emocionet e tyre. Ata duhet ti lejojnë dhe ti respektojnë kufijtë që fëmijët vendosin. Nëse e shohim të nevojshme mund ti ndihmojnë fëmijët për të patur reagime më të shëndetshme.

 

* Ky është artikull ekskluziv i Bebja.com, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Bebja.com” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a comment

Regjistrohu për të rejat e fundit

Bebja.Com © 2024. All Rights Reserved.